Sa shqiptarë po punojnë aktualisht për të huajt dhe si janë pagesat?

Një nga mënyrat më të mira për të bërë para duke punuar nga shtëpia, është të punosh për kompani të huaja jashtë vendit. Sot, teknologjia e mundëson këtë më së miri dhe një nga platformat më të njohura që e ofron këtë shërbim është edhe “Upwork”.

Sipas Monitor, platforma ndërkombëtare e punësimit online, ka të regjistruar aktualisht 3 mijë të rinj shqiptarë, shumica e të cilëve janë paguar. Gjatë pandemisë, numri i regjistrimeve u rrit me shpejtësi, si një alternativë për ata që humbën vendin e punës nga pandemia, por edhe për ata që ishin të punësuar. Në shkurt të këtij viti, Upwork kishte të regjistruar rreth 1600 shqiptarë, kryesisht të rinj. Ndërkohë, nga të dhënat e qershorit, numri i regjistrimeve ka kaluar shifrën 3000.

Fitimet e të rinjve nga punësimi në distancë përfshijnë pagesa të kënaqshme. Ndërmjet tyre ka persona që kanë fituar me shumë se 100 mijë euro për më pak se dy vjet. Shumica prej tyre kanë siguruar të ardhura mujore rreth 1 mijë euro në muaj që nga periudha e regjistrimit. Ndër të punësuarit në distancë ka edhe shqiptarë nga Kosova.

Të rinjtë kryesisht ofrojnë shërbime profesionale të tilla si shërbime të teknologjisë së informacionit (TIK), që janë edhe më të paguarat. Sidoqoftë, platforma ofron larmi opsionesh duke përfshirë konsulenca, analiza risku, inxhinieri, kontabilitet, arkitekturë, përkthim, marketing dhe përpunim të dhënash.

Pse janë integruar mirë shqiptarët në këtë lloj tregu pune?

Faktori më i rëndësishëm është se të rinjtë ofrojnë shërbime të ekspertizës së lartë, por me pagesë më të ulët në krahasim me tregun botëror. Për shembull, nëse një shqiptar ofron punë 10$/orë, standardi në Europë për të njëjtën punë kushton jo më pak se 40$-50$/orë.

Thënë kjo, fitimi është i kënaqshëm nga të dyja palët sepse: shqiptarët paguhen më shumë se ç’do të paguheshin në vend, punonjësit paguajnë më pak se ç’do të paguanin të rinj të tjerë.

Në një studim të posaçëm për dixhitalizimin gjatë pandemisë, Banka Botërore e vlerësoi e-commerce si një mundësi, jo vetëm për profesionistët shqiptarë, por edhe për kompanitë shqiptare, të cilat mund të shesin prodhimet e tyre në tregje më të mëdha se popullsia e vogël e Shqipërisë prej 2.8 milionë banorësh, shkruan anabelmagazine.

Për t’u njohur më shumë me mënyrën si funksionon platforma Upwork, lexoni më shumë këtu.