Sahitaj: Një pjesë e madhe e shqiptarëve u gëzuan që Kadareja nuk e fitoi çmimin Nobel
Shkrimtari, Reshat Sahitaj, deklaroi se një pjesë e madhe e shqiptarëve është gëzuar që Ismail Kadareja nuk e fitoi as sivjet çmimin Nobel në letërsi.
Fituese u shpall shkrimtarja franceze, Annie Ernaux, dhe sipas Sahitajt tani secili shkrimtar francez mburret që ajo e ka fituar çmimin model, dhe se ne shqiptarët jemi pak më ndryshe, duke vlerësuar se gëzohemi kur nuk e fiton dikush prej nesh.
“Ne shqiptarët ashtu jemi. Një pjesë e madhe është gëzuar që s’e ka fituar Kadareja, një pjesë e madhe nuk është gëzuar që s’e ka fituar. Por për neve, po ta kishte fituar Kadareja, është nder për krejt shqiptarët sepse ne pastaj do të kishim më lehtë të botonim edhe romane të tjera të shkrimtarëve”.
Siç u shpreh në emisionin Edicioni Special nw Klan Kosova, Kadareja i ka edhe disa gabime tjera që e ka shumë vështirë ta fitojë çmimin Nobel.
“Është jeta private e tij dhe jeta si shkrimtar. Kadareja i ka dy dallime: dallimi si shkrimtar shumë i madh, por dallimi në jetën private i tij është katastrofik, dhe mendoj se ky është hendikepi kryesor që ai nuk fiton dot Nobelin”, sqaroi Sahitaj.

