Salih Rifat Hasani – një jetë në shërbim të kombit
Sabedin Sherifi
![]()
I brymosur me dashurinë ndaj kombit dhe atdheut u rrit dhe u edukua Salih Hasani. Këtë dashuri për kombin, sigurisht që e mori nga babai i tij Rifati, një nacionalist i regjur i cili deri në vdekje, nga pushteti komunist jugosllav u cilësua si armik i përbetuar i Jugosllavisë.
Familja Hasani kishte migruar në Shqipëri rreth viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar, si refugjatë në rrethin e Lushnjës, pasi që pushetit i mbretërisë jugosllave i përndjeki përtej Bjeshkëve të Nemura.
Ata u vendosën në Lushnjë dhe jetuan aty deri në Luftën e Dytë Botërore.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë ishte një motiv shtesë për t’u kthyer në vendlindjen e të parëve.
Rifat ishte pjesë e formacioneve ushtarake shqiptare, të prirë nga Hysen Terpeza dhe Adem Gllavica.
Fillimisht Rifati me familje u vendos te daja Sefë Sherifi në Vërbicë të Zhegocit ku Sefa u ndërtoi shtëpi për t’u strehuar.
Daja Sefa po ashtu në male i ndërtoi Rifatit bunker pasi që ky posedonte armatim dhe pajisje të ndryshme luftarake.
Rifati ishte aktiv në Luftën e Dytë Botërore në krahun e Hysen Terpezës dhe Adem Gllavicës.
Ai mori pjesë në shumë beteja dhe një ndër më të njohurat ishte Beteja e Ferizajt e dhjetorit 1944 ku kishte humbur shumë bashkëluftëtarë nga treva të ndryshme të Gjilanit e më gjërë.
Pas lufës një kohë ai jetoi në ilegalitet deri sa filloi situata të qetësohej.
Serbët ndiqnin shqiptarët kudo sidomos ata që kishin qenë pjesë e anti regjimit që ishte vendosur në pushtet pasi që ky regjim kishte larë duart me gjak të shqiptarëve.
Rifati u vendos me familjen e tij në Gjilan, ku krijoi familjen e tij dhe jetoi nga puna e tij si shitës i ëmbëlsirave e deri te prodhimi i dyerve dhe dritareve.
Rifati kishte tre djem, Sylejmanin, Salihun dhe Naimin dhe tri vajza.
Sylejmani jeton në Gjermani që nga fillimi i viteve të 70-ta. Është ndër veprimtarët e hershëm të mërgatës në Gjermani.
Salih Hasani, lindi në Gjilan më 27.11.1948. Gjimnazin e mbaroi në Gjilan, drejtimi shkencave natyrore.
Shkollën e Lartë për Gjuhë dhe letërsi Shqipe, në Gjilan, Universiteti Prishtinës, (dy provime para diplomimit u largua në Gjermani)
Salihu është djali i dytë i cili në migracion është larguar në vitin 1985 Ai ka punuar në fusha të ndryshme.
Një kohë ka punuar si mësues në Vërbicë të Zhegocit pastaj në postë të qytetit.
Salih Hasani ishte aktivist i gjithanshëm, ishte sportist i dalluar në artet maciale ku arriti të krijojë klubin e parë të karates në Anamoravë.
Pos karates ai merrej edhe me muzikë në ansambilin e këngëve dhe valleve të qytetit.
Nga viti 1970, filloi të merrej me karate si sport, duke qenë ideator dhe themelues i klubit të parë të Karatesë në Gjilan, bashkë me Esat Marovcin, regjistruan klubin e karatesë duke e emëruar, Klubi i Karatesë ”Zenel Hajdini”.
Vlen të theksohet se Salih Hasani, ishte nxënës i mjeshtrit të madh të Karatesë me përmasa botërore, Hirokazu KanaZawa, Nakajam Ahideo Ochi etj. si dhe te pionieri i karateistit Gjerman, Hans Ditrich Rauscher (8-DAN), i cili e kishte sjelle në Gjermani legjenden dhe themeluesin e shotokanit Masstoshi Nakajamen, pastaj Hirokazu Kanazawen, Hideo Ochin dhe shumë mjeshtër të mëdhenj të karatesë, me të cilët, Salihu, jo vetën që u ngrit profesionalisht, duke fituar tri herë medalje europiane, por me përkushtim të madh krahas këtyre emrave të mëdhenj të karatesë, arrin të bëhet pjesë e shtëpive më të mëdha të karatesë Japoneze JKA dhe DJKB.
Pas demostratave të 81-shit rrethi i veprimtarisë ngushtohej. Ftesat e shpeshta të UDB-së në Gjilan nga Selim Brosha dhe udbashët tjerë e detyruan të largohet në strehim politik në Gjermani.
Atje gjeti mërgatën shumë të organizuara në shoqata atdhetare që mbështesnin kauzën tonë kombëtare.
Salihu ishte dër organizatorët kryesor të gjithë mërgatës në Evropë. Çdo demonstratë në Gjermani, Zvicër, Belgjikë dhe në vende tjera, në ballë të tyre ishte Salihu me shumë bashkëveprimtarë të tjerë.
Fillimi i luftës në Kosovë Salihun nuk e gjen duarkryq ai organizoi shumë të rinjë e të reja në mobilizimin e përgjithshëm në ndihmë të luftës së UÇK-së në Kosovë.
Në fillim të vitit 1999 Salih Hasani edhe pse në një moshë të shtyer merr rrugën drejt fronteve të luftës në Zonën e Pashtrikut.
Ai aty dhe kontribut në trajnimin fizik për mbrojte të afërt të njësive elite të UÇK-së.
Fatkeqësisht nga angazhimi i tepërt fizik pëson sulm në zemër dhe shokët e luftës e dërgojnë në mjekim në Gjermani.
Çlirimi i Kosovës ishte ëndërr e shumë mërgimtarëve tanë dhe njëkohësisht ishte ëndërr edhe e Salih Hasanit.
Ai u kthye në Kosovë për të jetuar e vepruar por fatkeqësisht askush nuk i ofroi dorën e bashkëpunimit.
Si duket e gjithë veprimtaria e tij atdhetare ishte mbuluar me pluhurin e harresës.
Shtëpinë e babait të cilin e kishte lënë, ishte afër rrënimit. Salihu nuk kishte mjete financiare për të ndërtuar një shtëpi te re pasi që gjithë veprime tij e kishte shkrirë për komb e atdhe.
Ai jeton dhe vepron edhe sot në Gjermani nëpër sindikata dhe forume të shoqërisë gjermane dhe gëzon një respekt të veçantë në shoqërinë gjermane pasi që atje ka dhënë me kolegët gjerman një kontribut me dekada në ngritjen e mjeshtërisë së karates në Gjermani.
Salihu vjen shpesh në Kosovë tek familja dhe shoqëria e gjerë e cila nuk e ka harruar mjeshtrin e nivelit botëror të Karatesë.
Është dashur mbi dy dekada që kontrbuti i tij të vlerësohet dhe nderohet nga qyteti. Ai sot është anëtarë i shoqatës së veteranëve të UÇK-së.
Për kontributin e tij në lëmine e sportit, konkretisht në sportin e karatesë, Salih Hasani është nderuar me mirënjohje Komuna e Gjilanit. /Mediafokus.info

