Selimi në takim me ish- udhëheqësit e UÇPMB-së: Ne besojmë në drejtësinë dhe në pastërtinë e luftës 

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, sot ka pritur në takim ish- udhëheqësit ushtarakë dhe politikë bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), me të cilët ka diskutuar për situatën e fundit të krijuar pas konfirmimit të aktakuzave për ish- ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas takimit, në një konferencë për media, ministri Selimi tha se beson në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës së UÇK-së.

“ Kjo konferencë për shtyp është  me shkas pasi që sot kam pritur ish- udhëheqësi e luftës së UÇPMB-së, komandantë, ushtarë dhe eprorë të kësaj ushtrie. Ne jemi mbledhur sot për të dërguar një mesazh që: thelbi i UÇPMB-së është lufta e UÇK-së dhe për këtë shkak jemi mbledhur këtu sepse ne besojmë në drejtësinë dhe besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi tha se të gjithë ushtarët e UÇK-së që po ballafaqohen me drejtësi nuk janë vetëm, por e kanë edhe UÇPMB-në mbrapa në mbrojtjen e pastërtisë dhe vlerave.

Ndërsa ish- përfaqësuesi politikë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së, Shaqir Shaqiri tha se lufta e UÇK-së dhe UÇPMB-së ka qenë një luftë e pastër e cila ka pasur qëllim, liri për popullin shqiptar.

Shaqiri ndër tjerash tha se janë në mbështetje të bashkëluftëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së të cilët po kalojnë në procese gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.

“ Edhe këto procese që tanimë janë ngritur gjëja që për të hulumtuar, dëshmuar apo për të parë nëse lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, ne e kemi mbështetur, por si luftëtar të lirisë jemi të zhgënjyer sepse një gjykatë e cila ngitet mbi thashetheme nuk mund të jetë një gjykatë e drejtë dhe mund të jetë një gjykatë separatiste, që gjykon njëanshëm”, tha Shaqiri.