Serbia po e përdorë Asociacion si pretekst për të dështuar dialogun

Qeveria është shprehur e gatshme për vazhdimin e dialogut në Bruksel pavarësisht se pala serbe nuk është e interesuar për nënshkrim të marrëveshjes.

Qeveria i ka vijat e kuqe përballë Serbisë sa i përket sovranitetit dhe ruajtjes së kushtetutshmërisë.

Ndërkohë, opozita e quan procesin e dialogut të dështuar. Akuzojnë Qeverinë sa ka pranuar një marrëveshje brenda së cilës mund të krijohet autonomi për serbët e Kosovës.

Faktori ndërkombëtar i kërkon Kosovës dhe Serbisë që sa më shpejtë të gjejnë zgjidhje për uljen e tensioneve, përmes një marrëveshje normalizuese.

Derisa, pala serbe refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen, Qeveria shprehet e gatshme për vazhdimin e dialogut.

Deputeti i VV-së, Agon Batusha, tha se Serbia po e përdorë asociacionin si pretekst për të dështuar marrëveshjen.

“Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme të negocion dhe ti zgjidhë një herë emirë çështjet ndër fqinjësore me Serbinë. Vazhdojmë të jemi konstruktiv duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorin. Faktori ndërkombëtar po e ledhaton Serbinë. Asociacioni nuk është e vetmja temë e diskutimeve aty ka edhe 33 marrëveshje tjera. Serbia po e përdor si pretekstë Asociacionin”, tha Batusha për Rtv21.

Në anën tjetër opozita vlerëson se Qeveria Kurti po i bën dëm vendit përmes qasjes së gabuar në procesin e dialogut me Serbinë.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, druan se kryeministri mund të pranojë një draft-statut të Asociacionit që krijon pushtet të tretë.

“Është e rrezikshme për vendin nëse kalon një asociacion i tillë i cili i jep të drejta serbeve të pakontrolluara në kuptimin ligjor dhe kushtetues. Kjo Qeveri me vetëdije apo pa të ia ka bërë një dëm vendin dhe po i ikin transparencës pikërisht për këtë”, tha ai.

Krahas kritikave për mungesë transparencë nga ana e Qeverisë për draftin-statutin e Asociacionit dhe dialogun, deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka kritika edhe për kolegët e tij opozitarë.

“Opozita në përgjithësi po kalkulon me këtë çështjen e asociacionit duke u deklaruar kur ka interes thonë se e kanë parë dokumentin e kur ju nevojitet thonë nuk e kemi parë, për mua kjo nuk është në rregull. Nëse vërtetë qëndrojnë vërejtjet për asociacionin që krijohet autonomi për serbët atëherë ky proces është i dështuar. Nuk i komentoj deklaratat e presidentes”, tha Veliu.

Ditë më parë presidentja, Vjosa Osmani, shprehi shqetësim për dykuptimësi në disa çështje të draft-statutit të asociacionit. Sipas saj, ato duhet të evitohen përpara se drafti të shkoj në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe shpërfaqi dallimet e palëve edhe në takimin e fundit në Bruksel.