Shaban Elezi, një jetë në shërbim të paqes vëllazërore dhe të nderit familjar

(Kujtim për Shaban Kadri Elezin nga Livoçi i Poshtëm)

Babai im, Shaban Kadri Elezi, i lindur në vitin 1914 në fshatin Livoç i Poshtëm të Gjilanit, ka qenë një burrë i rrallë, i njohur për mençurinë, drejtësinë dhe rolin e tij të pashoq në pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në Anamoravë dhe më gjerë.

Ai ndërroi jetë më 17 janar 1995, por kujtimi dhe shembulli i tij jetojnë thellë në zemrën time dhe në ndërgjegjen e shumë familjeve ku fali paqe.

Ne jetonim në një bashkësi të madhe familjare, me 45 anëtarë, pasi babai kishte pesë vëllezër. E gjithë familja merrej me kultivimin e duhanit, një veprimtari shumë fitimprurëse për kohën.

Mbajtëm mbi 40 bullica dhe rreth 300 dele, dhe të gjithë fëmijët, sapo mbushnim 10 vjet, përfshiheshim në punët e vështira të tokës, tharjes dhe vargimit të duhanit.

Babai ishte njeri i barabartë dhe nuk bënte asnjëherë dallim mes meje si djalë i tij dhe fëmijëve të vëllezërve të tij. Ishte i drejtë dhe i palëkundur ndaj çdo padrejtësie.

Babai nuk kishte shkollë formale dhe nuk dinte të shkruante në gjuhën shqipe, por përdorte shkrimin cirilik për të shënuar emrat dhe rastet e pajtimit të mbi 100 ngatërresave – përfshirë vrasje, rrahje, fyerje dhe konflikte të rënda pronësore.

Për fat të keq, pas vdekjes së tij, fletorja me shënimet e çmuara është humbur dhe nuk kam mundur ta gjej më, gjë që më ka lënë një plagë në zemër.

Ishte babai ai që më kërkonte që të bëja një buletin për pajtimet, por në atë kohë isha i ri dhe nuk e kuptoja vlerën që kishin ato.

Për çdo rast pajtimi, ai e gjente mënyrën për të krijuar balancë mes familjeve – sidomos kur njëra palë ishte e fuqishme dhe tjetra më e dobët.

Thoshte shpesh: “Edhe pse e vërteta është e drejtë si buka, në këto raste duhet me balancu, që familja e dobët të mos dalë e poshtëruar dhe të mos rrezikohet paqja.”

Një rast konkret në fshat ishte pajtimi midis dy bashkëfshatarëve, Qazimit dhe Arifit, ku Qazimi e goditi rëndë Arifin, duke i humbur syrin e djathtë.

Babai e kreu pajtimin me shumë urtësi dhe vendosmëri, duke ndalur gjakderdhjen e mundshme.

Në vitet e ’90-ta, babai ishte kryetar i Këshillit të Pajtimit për fshatin Livoç i Poshtëm, në kohën kur përmes iniciativave popullore po ndalej gjakmarrja në Kosovë. Edhe në odën tonë, pritnim udhëtarë, tregtarë, e njerëz që vinin nga larg. Ishte gjithmonë mikpritës dhe i drejtë në fjalë. U kërkohej shpesh për këshilla, për drejtësi e për rrugëdalje në situata të vështira.

Një rast tjetër që më ka mbetur në kujtesë ishte kur burri i motrës sime, Ilmiu, jurist dhe njeri me pozitë, e pyeti babain nëse të blinte një pushkë për gjah apo të mbulonte kulmin e shtëpisë.

Babai ia ktheu: “Cilin e ki merak më shumë? Nëse e ke merak pushkën, bleje pushkën!” Edhe pse gjyshja u revoltua, babai theksoi se “meraku është shumë i rëndësishëm, se jeta është e shkurtër dhe nuk i dihet se ku jemi nesër.”

Babai ishte arsimdashës, dhe përkundër presionit të kohës dhe propagandës serbe, përkrahu fuqishëm shkollimin e vëllait të tij, Dr. Asllan Elezi, i cili u bë pulmolog i njohur dhe shembull për shumë breza mjekësh.

Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Gjilan sot mban emrin e tij.

Unë e kam humbur babain fizikisht, por nuk do ta humbas kurrë në shpirt.

Rrënjët e virtytit, urtësisë, drejtësisë dhe përkushtimit që la pas, janë një thesar i çmuar që e bart me krenari.

Sot, në një kohë kur fjalët urrejnë më shumë sesa pajtojnë, më duket edhe më madhështore ajo që ai bëri – të qetësojë shpirtra, të ndalojë gjak dhe të ngre në peshë nderin e familjes shqiptare.

Dr. Elez Elezi (dëshmitar i urtësisë së tij)