Shaban Gogaj dënohet me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj
Gjykata Themelore në Pejë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gogaj u shpall të premten, nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri Shaban Gogaj për vrasje nga pakujdesia u gjyku 5 viteve kurse per armëmbajtje pa leje me 3 vite burgim.
Gjykata cakton dënimin unik prej 7 viteve e 6 muaj. Kurse i pandehuri Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje dënohet me 2000 euro.
Historiku procedural i rastit
Procesi gjyqësor në rastin Gogaj u zhbllokua më 6 tetor, pasi është caktuar mbrojtëse sipas detyrës zyrtare, avokatja Sabrije Abazi, e cila u caktua si avokate në gatishmëri, në përputhje me radhën sipas memorandumit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).
Seanca e caktuar më 27 shtator, kishte dështuar pasi avokati Blerim Ademaj i caktuar si mbrojtës në gatishmëri për të pandehurin Gogaj, mungoi në seancë për shkak se i njëjti pretendon se gjykata nuk ka të drejtë ta angazhojë sipas detyrës zyrtare, por Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).
Ndryshe, më 8 shtator 2022 avokati Liridon Tafa, i caktuar si avokat sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e të pandehurit Shaban Gogaj, e kishte liruar sallën e gjykimit gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Pejës, pasi njoftoi trupin gjykues se ishte kanosur nga tani i pandehuri Shaban Gogaj.
Në seancën e mbajtur më 23 gusht 2022 mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare nga gjykata për të akuzuarin Shaban Gogaj, avokati Liridon Tafa, ka pranuar të mbrojë Gogajn, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt. Por, edhe ky mbrojtës u kundërshtua nga i akuzuari.
Seanca e mbajtur më 27 korrik 2022, kishte dështuar pasi avokati Asdren Mekaj ishte tërhequr nga mbrojtja pasi i akuzuari Gogaj tha se nuk dëshiron mbrojtës tjetër përveç Besnik Berishës.
Edhe seanca e 4 korrikut, kishte dështuar pasi mbrojtësi i ri i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati Asdren Mekaj ka kërkuar kohë shtesë të përgatisë mbrojtjen dhe të njihet me shkresat e lëndës, pasi është caktuar avokat i Gogajt sipas detyrës zyrtare.
Kurse, seanca e 22 qershorit kishte dështuar të mbahet pasi mbrojtësi i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Haxhi Çekaj kishte munguar në seancë, pasi sipas parashtresës së dërguar në gjykatë, kishte thënë se i pandehuri nuk ka pranuar ta përfaqësonte atë në gjykatë.
Ndryshe, pas 9 muajsh bllokadë në zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve(OAK), më 22 prill 2022, kishte vendosur që të shfuqizojë vendimin e saj që ndaj Gogajt të mos caktohet ndonjë avokat sipas detyrës zyrtare.
Pasi mbrojtësi i të pandehurit Gogaj, avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga dhënia e mbrojtjes për shkak të prishjes dhe rendit të gjykatës, për shkak të këtij vendimi, shumica e avokatëve të cilët ishin caktuar nga ana e Gjykatës së Pejës për të përfaqësuar Shaban Gogaj, kishin refuzuar të japin mbrojtjen e tyre për shkak të vendimit të OAK që ndalonte avokatët sipas detyrës zyrtare ta përfaqësonin Gogajn në gjykatë.
Në seancën e 25 nëntorit 2021, i akuzuari Gogaj kishte refuzuar të caktojë mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.
Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor 2021, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.
Në seancën e 1 prillit të këtij viti, avokati Gani Kelmendi e kishte njoftuar gjykatën se pa vullnetin e tij ishte tërhequr nga dhënia e mbrojtjes për të pandehurin Gogaj, pasi që ishte paralajmëruar për heqjen e licencës së avokatit, nëse ai e përfaqëson këtë çështje penale.
Kurse, në seancën e 16 shkurtit 2022, avokati Gëzim Kollçaku, i cili i ishte caktuar të akuzuarit Gogaj si mbrojtës sipas detyrës zyrtare, ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë, për zvarritje të procedurës penale, i cili nuk ka pranuar të mbrojtë të pandehurin Gogaj.
Në të njëjtën seancë, gjykatësja Husaj-Rugova tha se meqenëse Oda e Avokatëve nuk ka pranuar me caktuar avokat, do t’i thërrasin gjithë avokatët në Kosovë, derisa të plotësohen kushtet ligjore.
Ndërsa, në seancën e mbajtur më 31 janar 2022, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Kollçaku ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë për zvarritje të gjykimit.
Edhe më 30 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit Kollçaku, i cili kishte munguar në seancën e 29 dhjetorit, duke refuzuar ftesën e gjykatës.
Më 25 dhjetor 2021, Ministria e Drejtësisë (MD) kishte miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.
Ndryshe, kjo lëndë penale ishte ndërprerë, pasi gjykatësja e rastit Husaj-Rugova i kishte shqiptuar vërejtje, dënim me gjobë prej 500 eurosh dhe më pas e kishte përjashtuar mbrojtësin e të pandehurit Gogaj, avokatin Besnik Berisha, për shkak të prishjes dhe rendit në seancë gjyqësore.
Vendimi i gjykatëses ishte atakuar dy herë në Gjykatën e Apelit, kur kjo e fundit përfundimisht kishte konstatuar se Gjykata e Pejës kishte vendosur drejtë kur kishte dënuar me gjobë avokatin Berisha.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të marrë më 27 tetor 2021, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Besnik Berisha dhe ka vërtetuar dënimin me gjobë prej 500 euro të Gjykatës së Pejës për shkak të prishjes së rendit në gjykatore.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës ka vendosur drejtë kur ka shqiptuar dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha.
“Kjo Gjykatë pajtohet në tërësi me gjetjet e gjykatës së shkallës së parë, duke marrë parasysh se avokati ka prishur rendin në gjykatë disa herë që i është tërhequr vërejtja, dhe përkundër kësaj, ka vazhduar me prishjen e rendit, çka mbështet nga shikimi i procesverbalit të shqyrtimit gjyqësor të datës 28.06.2021, nga audo dhe video incizimi i të njëjtës seancë por edhe nga procesverbalet e shqyrtimit gjyqësor të datave 10.12.2019, 11.12.2019 dhe 7.05.2021”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

