Rikujtim: Shaban Rexhepi, mjeku i cili një jetë e kaloi mes dhimbjeve të nënave dhe vajit të foshnjave

Para dy vitesh, u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare Shaban Rexhepi, mjeku i cili mbi tridhjetë vjet i kaloi në sallat e lindjes, mes dhimbjeve të nënave dhe vajit të foshnjave, shkruan Mediafokus.info

Dr Shaban Rexhepi ndihmoi ardhjen në jetë të mijëra bebeve në Gjilan, Anamoravë dhe më gjerë, nga Kosova e Presheva.

Ai doli në pension më i varfër se sa në kohën kur kishte filluar punë.

Kishte vendosur që t`i shërbejë e t’i përkushtohet kombit të tij, prandaj nuk lakmoi pas parave dhe ordinancave private.

Falë profesionalizmit të tij, Reparti i Gjinekologjisë në Gjilan, në të gjithë parametrat, kishte arritur të jetë më i miri në Kosovë, madje krahasohej edhe me Klinikat më të mira të rajonit.

Nëse Spitali Regjional i Gjilanit, asokohe mund të lavdërohej me shërbimet e tij, atëherë gjithsesi se këtë mund ta bënte me Repartin e Gjinekologjisë, ku vdekshmëria e nënave dhe fëmijëve, sillej në parametra evropianë, për dallim prej regjioneve tjera.

Asokohe, Rexhepi shprehej i brengosur me shkallën e lartë të vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve në Kosovë, që sipas tij ishte më e larta në nivel të vendeve të BE-së, madje dhe në regjion.

Nuk ishte i prirë as për lindjet me prerje cezariane.

“Është shumë e rëndësishme që një nënë e re t`i përjetojë dhimbjet e lindjes”, thoshte Rexhepi.

Si specialist i shkollës së Zagrebit, ai kishte besim në aftësitë e veta dhe ishte i gatshëm të merret edhe me rastet më të rënda.

Madje, si në mahi, u kishte thënë kolegëve të tij në QKUK që rastet e rënda t`i udhëzojnë në Gjilan, ndonëse kjo ishte diçka e pa zakontë për praktikën mjekësore.

“Nuk është qëllimi im që të lavdërohem para askujt, por dëshiroj që të krahasohemi me shifra”, thoshte ai.

Tërhiqte vërejtjen se çdo lindje me operacion e dëmton shëndetin e nënës, prandaj thoshte se duhet t`u jepet përparësi lindjeve normale, pos në rastet kur jeta e nënës është e rrezikuar seriozisht.

“Është shumë e rëndësishme që një nënë t`i përjetojë dhimbjet e lindjes. Lindjet në ‘gjumë,’ mund të arsyetohen vetëm në rastet kur jeta e nënës është e rrezikuar seriozisht”

“Lindjet e vështira” për të nuk ishin problem.

Besonte në njohuritë, aftësitë dhe përvojën e tij dhe nuk i ka shkuar kurrë ndërmend që të udhëzoj gra për lindje në QKUK, pos në rastet e veçanta, kur ka munguar grupi i gjakut.

Atij i mjaftonte një minutë për ta nxjerrë beben nga barku i nënës, nëse jeta e lehonës ishte në rrezik.

Këtu bëheshin lindje normale edhe pas një lindje me prerje cezariane si askund tjetër në Kosovë. /Mediafokus.info