Shahini: 400 biznese janë mbyllë për tre muaj, e bën Kosovën të mos jetë atraktiv për bizneset e reja

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se brenda tre muajve, në Kosovë janë shuar afër 400 kompani dhe se kjo po bëhet për shkak të borxheve e konkurrencës jo ferr. Këtë fakt, Shahini e sheh shqetësuese, teksa pret veprime institucionale.

“Është shqetësim për vendin, po flasim aktualisht për tre muajt e fundit ku mesatarisht janë mbyllur rreth 400 kompani e që këto kompani kryesisht janë mbyllur për shkaqe të problemeve të njëpasnjëshme që kanë pas për shkak të humbjes së fuqisë në treg të borxheve dhe të konkurrencës jo fer”, thotë Shahini.

“Prandaj shuarja e bizneseve nuk mund të jetë vullnetare përderisa ata nuk kanë arritur objektivat e veta. Asnjë biznes nuk mbyllet vullnetarisht që i ka punët mirë por që i ka punët keq dhe kjo e bën që Kosova të mos jetë një vend atraktiv për bizneset e reja por edhe bizneset me traditë janë duke shkuar drejt falimentimit për arsye të ndryshme të goditjeve të njëpasnjëshme që vijnë në biznes”, shtoi ai.