Shaqiri do t`i prijë Zvicrës sonte kundër Spanjës
Zvicra me Xhakën kapiten e mundi Francën, por mbetet të shihet nëse Zvicra me Shaqirin kapiten do të fitojë sonte përballë Spanjës. Nëse derdhet djersë sikurse me javën e kaluar, suksesi është i mundur, edhe pse mungesa e Xhakës do të ndihet shumë.
Vladimir Petković, trajner i Zvicrës: “Hapi tjetër është gjithmonë më i rëndësishmi. Ne duam të kalojmë në raundin tjetër, edhe nëse përballemi me një nga favoritët, Spanjën. Ne duhet të tregojmë urinë tonë në fushë. Ne duam të përparojmë, me të gjithë respektin për kundërshtarin. Xhaka do të marrë një rol tjetër, por të gjithë në skuadër do të mbështesin dhe ndihmojnë ekipin”.
Xherdan Shaqiri, mesfushor i Zvicrës: “Unë jam shumë krenar që drejtoj ekipin në një ndeshje kaq të rëndësishme dhe dua të tregoj aftësitë e mia dhe të ndihmoj ekipin. Ne kemi treguar që jo vetëm mbrohemi dhe mund të shënojmë më shumë se një gol. Nëse ne e tregojmë futbollin tonë në fushë, gjithçka është e mundur. Kjo nuk do të thotë se kam pasur një lojë të keqe nëse nuk shënoj ose jap një asistim, pasi ndihmoj shumë në mbrojtje dhe kjo është e rëndësishme për ekipin”.

