Shatërvani i Gjilanit, kur u ndërtua dhe si u kthye në emblemë të qytetit për shumë vite?
Gjilani si qytet (dikur Gilani) njihet edhe nëpërmjet shatërvanit. Madje, në kohët e hershme, shatërvani ishte një lloj embleme e Gjilanit. Përmendet edhe në këngët për Gjilanin.
Shatërvani (populli e quan edhe shadërvani) ka qenë i ndërtuar në oborrin e xhamisë së madhe. Ishte shumë i bukur për kohën, shkruan Mediafokus.info.
Kronisti Islam Osmani thotë se shatërvani u ndërtua pas vite pas ndërtimit të xhamisë Shehzade, në vitin 1862.
Në ndërtimin e shatërvanit të parë kontribuuan Melik Bejzade, Izet bej, Haxhi Maliku, Bejzad Mustafa beu, Mustafa Agazade, Rexhe Agazade dhe Sylejmani beu.
Shatërvani i vjetër kishte dimensionet 14×8 m, një lartësi prej 3 metrash si dhe një strehë të lëshuar prej 1.5 metrash, vazhdon shkrimi i mediafokus.info
Në vitin 1922, kompozitori Muahim Ismail Haki kompozoi këngën për Gjilanin: “Gilan shehri viran do të mbetet”, të cilën e këndonte Zahza Sezai Efendiu.
Veç tjerash, në tekstin e këngës, thuhej: Gilan, he viran, tri (thuhet edhe shtatë) mejhane, një dyqan, mos me kanë shadërvani, pesë para si ban Gilani”.
Në vitin 1921, shatërvani u shkatërrua dhe përreth xhamisë filluan të ndërtoheshin dyqane si dhe një bankë (banka e Arsiqve).
Në vitin 1937 ndërtohet minarja e xhamisë mu aty ku ishte shatërvani. Më vonë xhamia e madhe ka pasur edhe një shatërvan të ndërtuar në vitin 1970, brenda oborrit të saj, por me dimensione më të vogla.
Shatërvani nuk ekziston më, por kënga e Gilanit dhe shatërvanit vazhdon të këndohet edhe sot./Mediafokus.info

