Shefki Daku: Pas luftës, UNMIK-u i favorizoi në institucioneve njerëzit që kishin punuar në kohën e okupimit

“Në verandën e hotelit Kristal në Gjilan takova një shok timin, ish-i burgosur politik dhe u ndala me të për një kafe. Derisa po bisedonim për të kaluarën dhe të tashmen, ai u shpreh i habitur se si ish inspektor të sigurimit shtetëror në kohën e Serbisë, punojnë e mbajnë grada edhe sot në Kosovën e lirë. Shoku iku të nesërmen për Suedi, e unë vazhdoj të jetoj në qytetin tim, me një pension prej 150 eurosh”.

Kështu e nis rrëfimin e tij 67-vjeçari nga Gjilani, Shefki (Rexhep) Daku, i cili ka bërë 22 vite punë dhe ka kaluar nëpër shumë sfida e sakrifica në rrugëtimin drejt lirisë.

Ai është i befasuar se si pas luftës, në krye të institucioneve të krijuara nga UNMIK-u, u vunë personat që kishin punuar në institucionet e shtetit serb edhe pas suspendimit të autonomisë së Kosovës.

Për më keq, vijon ai, në krye të këtyre institucioneve, më vonë kanë ardhur fëmijët e tyre, përmes partive politike.

Ky është fat i keq për Kosovën, thotë Daku.

Në vitin 1994, Shefki Daku ishte arrestuar e burgosur si komandant i Shtabit të Mbrojtjes për regjionin e Dobërçanit, që funksiononte në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.

Përndryshe, Shefki Daku ka qenë pjesëmarrës i demonstratave të 1981-shit dhe gjithmonë ka qenë ithtar i bashkimit të faktorit politik shqiptar.

Më 11 maj 1994, përmes një letre, i kishte kërkuar Presidentit Rugova që të organizojë një tryezë me partitë politike të asaj kohe, intelektualë dhe shoqërinë civile dhe të arrihej ky unitet.

Daku e kishte ngritur zërin përmes një shkrimi në gazetën “Bujku” (29.10.1983) edhe kundër diskriminimit gjuhësor në komunën e Gjilanit, ku asokohe vërehej një bastardim i skajshëm.

Në vitin 1989, si delegat i Kuvendit Komunal në Gjilan, Shefki Daku ka nënshkruar peticionin kundër ndryshimeve kushtetuese.

Kuvendi, në krye me Bejtullah Ismajlin kishte vazhduar aktivitetin në një shtëpi private në lagjen “Ramiz Sadiku”.

Para luftës, në vitet e `90-ta, Daku ka punuar edhe si profesor në shkollën e mesme “Marin Barleti” në Gjilan.

Në vitin 1995, ka udhëhequr klubin e futbollit “Studenti” të Dobërçanit, anëtar i Ligës së parë të Kosovës, grupi i Ferizajt.

Pas luftës ka punuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, si zyrtar i lartë për Ekzekutime, ku një mandat ka qenë edhe kryetar i Organizatës Sindikale, pastaj edhe anëtar i Kryesisë Qendrore.

Ndonëse jo i vlerësuar meritueshëm për gjithë aktivitetin e tij nëpër vite, Daku është i lumtur me lirinë e Kosovës, meritat për të cilën ai ia atribuon politikës paqësore të presidentit Rugova si dhe luftës së armatosur të UÇK-së, pa e harruar edhe kontributin e faktorit ndërkombëtar.

Shefki (Rexhep) Daku është i lindur më 15 shkurt 1959 në fshatin Lajçiq të komunës së Kamenicës.

Shkollimin fillor e ka mbaruar në Dobërçan të Gjilanit, të mesmen – gjimnazin, në Gjilan, kurse Fakultetin Juridik në Prishtinë. /Mediafokus