Shëndetësorët i hedhin mantelat para qeverisë

Punëtorët shëndetësorë të Kosovës, të cilët kanë nisur sot një protestë, me kërkesën për implementimin e Ligjit për Paga, i kanë zhveshur mantelat dhe i kanë hedhur në tokë para qeverisë.

Në shenjë pakënaqësie me trajtimin, 122 mjekë e kanë lëshuar Kosovën vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që janë paralajmëruan edhe largime të tjera nga vendi, tha kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Ai ka thënë se në këto kushte punëtorët shëndetësorë do të largohen nga sistemi publik dhe do të punojnë në klinikat private.

“Mosha mesatare e mjekut në QKMF është 57-vjeç. Pas 10 vjetëve pensionohen 1.200 specialistë dhe zoti kryeministër po ju pyes juve se kush do ta shërojë këtë popullatë. Zoti kryeministër reflektoni, ruani sistemin publik për të cilin edhe jeni zotëruar dhe e keni në program të qeverisë dhe mos e shkatërroni atë. Nuk do të ketë largim të punëtorëve shëndetësorë vetëm jashtë Kosovës, por ata do të dynden jashtë sistemit publik dhe do të shkojnë në privat. E kush e paguan këtë, këtë e paguan popullata e thjeshtë e cila nuk ka pare me u shëru”, ka thënë Syla.

Ai është shprehur se nga java e ardhshme do të mund të ketë edhe bllokim të sistemit shëndetësor.