Shëndeti Mendor në Kosovë – Kriza që po ushqen krimin dhe po zbeh drejtësinë

Vana Jerliu Ramadani

Kur shëndeti mendor dhe i sjelljes neglizhohet, krimi rritet, institucionet ligjore flenë, dhe qytetari mbetet në rrezik.

Ky është realiteti i hidhur me të cilin përballet Kosova sot. Në një shoqëri që ka kaluar dekada nën represion, luftë dhe pasiguri, trauma kolektive është bërë pjesë e përditshmërisë.

Por ajo që është më shqetësuese është heshtja institucionale dhe sociale ndaj kësaj traume.

Trauma e luftës, plagë që nuk shërohet vetvetiu

Populli i Kosovës ka përjetuar trauma të shumta para, gjatë dhe pas luftës. Këto përvoja nuk janë vetëm kujtime të hidhura, por burime të çrregullimeve mendore që mund ndikojnë në sjellje, vendimmarrje dhe marrëdhënie sociale.

Ajo që shpesh harrohet është se trauma nuk ndalet me ata që e përjetuan drejtpërdrejt, ajo kalon nga brezi në brez, përmes mekanizmave psikologjikë dhe biologjikë.

Stigma dhe mungesa e trajtimit

Në Kosovë, të flasësh për shëndetin mendor shpesh nënkupton dobësi. Ky stigmatizim ka shtypur mijëra individë që kanë nevojë për ndihmë, duke i lënë të vuajnë në heshtje.

Qendrat e shëndetit mendor janë të pakta, të mbingarkuara dhe pa burime të mjaftueshme.

Si rezultat, shumë raste të dhunës në familje, abuzimeve seksuale dhe përdorimit të substancave janë pasqyrë e një shoqërie që nuk po e trajton rrënjën e problemit.

Institucionet ligjore, kur drejtësia nuk kupton shëndetin mendor

Policia, prokuroria dhe gjykatat nuk kanë protokolle të qarta për trajtimin e rasteve që përfshijnë çrregullime mendore dhe sjelljeve.

Mungesa e bashkëpunimit të mjaftueshëm mes sistemit të drejtësisë dhe shërbimeve shëndetësore ka krijuar një hendek të rrezikshëm.

Kur rastet trajtohen vetëm si juridike dhe jo si sociale apo shëndetësore, humbet mundësia për trajtim dhe rehabilitim.

Shumë nga kryerësit e veprave penale vuajnë nga çrregullime mendore dhe sjelljeve, por sa bënë sistemi ligjor për identifikimin, trajtimin dhe menagjimin e rasteve te tilla, është një pyetje që populli i Kosovës duhet ta kërkoj me urgjencë.

Burgjet nuk ofrojnë trajtime adekuate, duke e bërë dënimin joefikas dhe shpesh kontraproduktiv.

Thirrje për reforma, drejt një sistemi që kupton dhe trajton

Kosova ka nevojë urgjente për reforma që e vendosin shëndetin mendor në qendër të politikave sociale dhe juridike.

Institucionet gjyqësore duhet të implementojnë programe për ekzaminimin, identifikimin dhe trajtimin e individëve me probleme mendore dhe të sjelljes.

Duhet të krijohen protokolle të qarta për bashkëpunim mes gjykatave dhe qendrave të shëndetit mendor.

Burgjet duhet të transformohen nga vende ndëshkimi në hapësira rehabilitimi për ata që vuajnë nga çrregullime mendore.

Thirrje për zgjim kolektiv

Shëndeti mendor nuk është luks por është themel i një shoqërie të drejtë, të sigurt dhe të qëndrueshme.

Nëse nuk e trajtojmë, po e zhbëjmë drejtësinë dhe po e lëmë qytetarin në rrezik.

Është koha që Kosova të zgjohet nga gjumi institucional dhe të përballet me krizën e heshtur.

Pasojat që shohim çdo ditë

Rritje e dhunës në familje dhe shoqëri, abuzime seksuale të përsëritura, përdorim i shtuar i substancave psikoaktiv, rritje e vetëvrasjeve, krime të kryera nga individë me histori të paidentifikuar të çrregullimeve mendore.

Këto janë probleme që mund të parandalohen me ndërhyrje të hershme dhe trajtim adekuat.

Rekomandime profesionale për reforma urgjente

  • Integrimi i shtuar i psikologëve dhe psikiatërve në sistemin gjyqësor.
  • Çdo rast penal duhet të ketë vlerësim psikologjik kur ka dyshime për çrregullime mendore dhe sjelljeve.
  • Më shumë trajnime për policinë, prokurorët dhe gjyqtarët mbi shëndetin mendor.
  • Edukimi mbi simptomat, trajtimin dhe komunikimin me individët në krizë.
  • Zgjerimi i qendrave të shëndetit mendor dhe financimi i tyre.
  • Më shumë staf, më shumë kapacitete, më shumë qasje në komunitet.
  • Fushata kundër stigmatizimit.
  • Edukim publik që normalizon kërkimin e ndihmës dhe promovon mirëqenien psikologjike.
  • Rehabilitim në burgje, jo vetëm ndëshkimi.
  • Trajtim i personalizuar për të burgosurit me çrregullime mendore, për të parandaluar rikthimin në krim.

Koha për veprim është tani

Si Terapiste e shendetit mendor, nuk mund të qëndroj indiferente ndaj një problemi që kërkon zgjidhje te menjëhershme, trajtimi i shëndeti mendor dhe sjelljes është nevojë themelore, është drejtësi, është siguri.

Nëse nuk veprojmë tani, po i lëmë brezat e ardhshëm të trashëgojnë jo vetëm traumën, por edhe pasojat e saj.

………………….

Autorja me profesion është Terapiste/Keshilltare e Shendetit Mendor në SHBA