Shëndeti mendor ‘n`fund t`pusit’ – fushata po bëhet me premtime të vjetra

Vana Jerliu Ramadani

Asnjë premtim në këtë fushatë për shëndetin mendor dhe problemin e keqpërdorimit me substanca narkotike – dy tema këto shumë të rëndësishme për çdo shoqëri që mendon për të ardhmen e saj.

Shëndeti mendor dhe problemi i varësisë, kryesisht nga substancat narkotike, po neglizhohen hapur edhe në këto zgjedhje për pushtet lokal në Kosovë.

Audienca e kësaj fushate për pushtet lokal, sigurisht se është lodhur me tema të njëjta pothuajse çdo herë, në veçanti për asfaltime dhe kanalizime.

Me vëmendje po e përcjell fushatën e kandidatëve për kryetarë Komunash dhe Asamble Komunale dhe me dëshirë të madhe po pres risi, ndoshta kësaj here do të ketë premtime të reja, por po mbetem e dëshpëruar.

Shumë tema të rëndësishme nuk po trajtohen fare dhe ndër to është edhe shëndeti mendor. Eshtë shqetësuese se sa në gjendje të mjerueshme është kujdesi për shëndetin mendor në Kosovë.

Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës, duke filluar nga fëmijëria e deri në pleqëri. Shëndeti mendor dhe shëndeti fizik janë baras të rëndësishëm, andaj shëndeti mendor ka ndikim të madh në kualitetin e jetës së një shoqërie.

Sa kisha pasur dëshirë të dëgjoja në këtë fushatë nga kandidatët duke u marrë me këtë temë, duke filluar me luftimin e stigmës ndaj shëndetit mendor, premtime për përkrahje te plote profesionisteve te shëndetit mendor, premtime për fonde të veçanta për trajnime dhe vetëdijesimin edhe më shumë të popullatës për shëndetin mendor, fonde për klinika të shëndetit mendor, përkrahje për klinikat private të shëndetit mendor etj.

Kjo temë që është aq e rëndësishme të trajtohet nga kandidatët, është lënë në “fund të pusit” edhe pse pasojat janë të theksuara ditë e me shumë në shoqëri.

Sa i përket problemit të keqpërdorimit të narkotikëve, Kosova është shumë mbrapa me mundësitë e parandalimit dhe trajtimit të keqpërdorimit me këto substanca.

Problemi i keqpërdorimit të substancave narkotike ka mundësi që në shoqërinë tonë të jetë edhe më i madh se sa që është popullata e informuar.

Si ka mundësi që ende kemi ngecje në programe për parandalimin dhe specialistë për varësi, kur ky problem nuk i takon vetëm klinikave që trajtojnë individë që ballafaqohen me kriza te tilla, por ky problem i takon shoqërisë, duke filluar nga familja, shkolla, klinikat, qendrat sociale, stacionet policore, gjykatat e tutje me radhe.

Qendrat për trajtimin e varësisë, qendrat sociale, stacionet policore, gjykatat, duhet të kenë specialistë dhe trajnime të duhura se si të ballafaqohen me raste të tilla.

Njashtu, asnjë premtim në këtë fushatë nga kandidatët për këtë problem shumë serioz që nëse nuk merren masa, ka mundësi që në të ardhmen të kemi pasoja të mëdha në shoqërinë tonë.

Vendi ynë ka nevoje për risi në fushata, ku preken tema të rëndësishme dhe të ndjeshme, që mund të përmirësojnë kualitetin e jetës e jo të përsëritën premtimet pothuajse çdo herë.

Kandidatët për pushtet lokal mund të shtyjnë agjenda të tilla, sepse ata përballen drejtpërdrejt me jetën dhe me qytetarin në terren, por fatkeqësisht as që hyjnë në këto tema, sepse më lehtë ‘shiten’ premtimet e vjetra.

Kemi nevoje për ndryshim, kemi nevojë që kandidatët ta marrin shumë seriozisht fushatën, të mos ofendojnë inteligjencien e shoqërisë dhe të mos neglizhojnë gjerat që kanë shumë rëndësi dhe kanë lidhshmëri të ngushtë për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë.
………………………………..
(Autorja është Magjistër e shëndetit mendor dhe varësive nga droga dhe alkooli).