Shenjat e para të arrestit kardiak

Për të parandaluar infarktin apo për t’u mbrojtur nga pasojat që ai mund të sjellë në momentin kur ndodh, me rëndësi është të mos neglizhohen shenjat e para.

Një dhimbje e fortë në kraharor, bllokimi i frymëmarrjes, mpirja e krahut, të përzierat dhe djersitja mund të jenë tregues të një infarkti, ndaj duhet që i sëmuri të dërgohet menjëherë në spital.

Sipas mjekes kardiologe, Daniela Teferici, 6 orët e para janë elementare për të shpëtuar muskulin e zemrës nga një dëmtim i pakthyeshëm që mund të vërë në rrezik jetën.

Në rast se koha që kalon është e gjatë, atëherë ndodh nekroza, vdekja e muskulit të zemrës.

Në momentin që ndodh kjo, ajo pjesë kthehet në cikatrice, e cila nuk kryen më funksionin e saj fiziologjik.

Ankesa kryesore është dhimbja e gjoksit, e cila është një dhimbje shumë e fortë, që kërkon me patjetër trajtim spitalor.

Kurrsesi infarkti nuk mund të trajtohet në shtëpi, pasi dhimbja që manifeston zgjat mbi 20 minuta, nuk qetësohet me tableta, por kërkon mjekim spitalor.

Një shenjë tjetër mund të jetë frymëmarrja e theksuar, ajo që ne e quajmë edemë pulmonare akute. Marrja e frymës është kaq e theksuar, sa pacienti mbytet.

Në të tilla raste rekomandohet dërgimi i pacientit në qendrën më të afërt spitalore.

Po ashtu mund të shfaqë djersitje, të përziera dhe të vjella, të cilat shpeshherë konfundohen me një helmim apo sëmundje të stomakut.

Në një përqindje më të vogël rastesh, manifestimi i infarktit të miokardit ka shenja më të zbehta.

Zakonisht kjo ndodh te pacientët e moshës së tretë dhe te pacientët diabetikë.

Te pacientët e moshës së tretë dhe te diabetikët shenjat nuk janë të forta.

Këto dy kategori nuk shfaqin dhimbje të forta në kraharor, por vetëm një ndjenjë bezdisëse në gjoks, ndjenjë e lehtë apo diskonfort, të përziera, por jo kriza.

Personat diabetikë janë dyfish më të rriskuar për të bërë infarkt miokardi në raport me të tjerët.

Diabeti konsiderohet një nga faktorët më madhorë për të pasur sëmundje arteriosklerotike të zemrës.