Shërbyesit civilë do të marrin 55 euro më shumë me pagat e korrikut

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar sa nga muaji korrik pagat për zyrtarët publikë do të rriten për 55 euro.

Ai tha se rritja e parë prej 55 euro ishte bërë në janar, ndërsa e dyta do të zbatohet nga muaji i ardhshëm.

“Pagat rriten dy herë nga 55 euro për të kompletuar rritjen 110 euro. Rritja e parë ka filluar në janar dhe tjetra nga muaji korrik. Sot marrim vendimin për ndarjen buxhetore që të mbulohet kosto e kësaj rritje. Zbatimi nga muaji i ardhshëm, pagat mujore për mbi 80 mijë zyrtarë publikë do të jenë 110 euro më të larta sa ishin në dhjetor”, tha Kurti.