Shërohet pacienti i tretë me HIV
Studiuesit kanë raportuar një rast të tretë të një personi që është shëruar nga HIV pasi i është nënshtruar një transplanti të qelizave staminale që synon shërimin e leucemisë së tij.
Studimi, i botuar në revistën shkencore Nature, përshkruan rastin e një pacienti mashkull 53-vjeçar, i cili iu nënshtrua një transplanti të palcës kockore (qeliza burimore) për të trajtuar leuçeminë e tij, përcjellë a2CNN.
Ashtu si pacientët “London” dhe “Berlin”, dhuruesi kishte një mutacion të rrallë që jep rezistencë ndaj llojeve të caktuara të HIV-it, si HIV-1.
“Kjo nënvizon se këto qasje janë premtuese dhe gjithashtu të riprodhueshme, pasi nuk mbetet një rast i izoluar,” tha Jürgen Rockstroh në një deklaratë.
Rockstroh është një profesor dhe drejtues i infektiologjisë në Spitalin Universitar të Bonit të Gjermanisë dhe nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Megjithatë, theksuan studiuesit, trajtimi nuk ka qenë i suksesshëm për disa pacientë të tjerë që e kanë marrë atë.
Edhe pse ka ende debate se çfarë do të thotë të “shërohesh nga HIV”, rasti i ri i shtohet dy rasteve të mëparshme të kurimit të HIV-it duke përdorur të njëjtin lloj transplanti të qelizave staminale si pacienti nga Berlini dhe ai nga Londra.
Individët me këtë mutacion kanë shprehje më të ulët ose aspak të receptorit CCR5 në qelizat e tyre, duke siguruar mbrojtje kundër disa llojeve të virusit HIV.
Transplanti në thelb zëvendëson sistemin imunitar të pacientit me atë që është rezistent ndaj HIV.
Pacienti, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, ishte pozitiv për HIV-in e tipit 1 (HIV-1) dhe u monitorua nga studiuesit në Spitalin Universitar të Düsseldorfit për më shumë se nëntë vjet pas transplantimit të tij në shkurt 2013.
