Shifër rekorde e vaksinimit në Gjilan kundër gripit sezonal

Më shumë se tetë mijë qytetarë të Gjilanit janë vaksinuar deri tani kundër gripit sezonal, raporton gazeta online Mediafokus.info.

Por, kërkesat janë akoma më të larta për vaksinim.

Drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemaili, ka deklaruar për Mediafokus.info se kjo komunë po i pret edhe 4 mijë vaksina.

“Besojmë se numri i njerëzve që do të vaksinohen do të mbërrijë në 12 mijë. Kjo është kërkesa e qytetarëve në qytet dhe fshatra. Deri tani janë vaksinuar 8 mijë qytetar. Bëhet fjalë kryesisht për të moshuarit, punëtorët shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike”, ka thënë Xhemaili për Mediafokus.info.

Ndërkohë, në vitin 2019 janë vaksinuar 7000 qytetarë të Gjilanit.

“Rritja e kërkesave për vaksinim ka ndodhur për shkak të pandemisë COVID-19”, ka deklaruar Xhemaili./Mediafokus.info/