“Shka t’jep Allahu duhet m’e bajtë, si të mira, si t’kqija…”

Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata…

Xhezide Aliu (05.08.1913) është njëra nga këto personazhe.

“Ushqimi taze lokes, buka e kallamojtë na kanë nimu neve me jetue gjatë e pa smuja; në kohën tonë s’na ka metë kurrë bukë për t’nesermen, për ditë kemi gatue taze. Ju sot i mani purrit e pitet ka katër muj n’friza e po doni m’u kanë pa smuja, e s’ka qysh lokes ”.

U lindi më 05.08.1913 në Stançiq, komuna e Gjilanit. Tani jeton në Dardani (ish Tankosiq, Ferizaj).

Kam pasur nderin të takoj shumë pleq për këto vitet e mia, por lokja Xhezide ishte e veçantë për shumë çka: vitale fizikisht dhe mendërisht, enciklopedi e vërtetë, rrezatonte mirësi; qetësisht i tregonte ngjarjet që më mahnitën; shpesh s’kisha as fjalë e as pyetje.

Familja e saj përkujdesin që kishin për loken Xhezide, nuk do të habitesha edhe po të dëgjoja se lokja Xhezide jeton vetëm nga dashuria që ata ia dëshmojnë, përkujdes i madh, diçka që çdo njeri do ta ëndërronte.

E filluam bisedën me loken Xhezide me pytjen e zakonshme: Çka i ka ndihmuar për këtë jetëgjatësi të saj: “Shka t’jep Allahu duhet m’e bajtë, si të mira, si t’kqija; s’kena na shka përzihmi në puntë e Allahut, krejt shka mujmë na me ba asht me ju lutë edhe me falenderue Allahun”.

Pushon pak dhe qetësisht e vazhdon rrefëimin lokja Xhezide; “Ju kam drejtue Allahut edhe shyqyr deri sot s’kam pasë asnjë smujë për m’u ba marak; ma ka dhanë Perenija shnetin faleminderit prej Tij; shoh pa syza, dhimta s’kam kurkun, hala punoj pa asnji problem, telefonin me folë me familje e përdori vetë, shka duhna me lypë ma shum pi Allahut, përveç m’e falenderue për kto t’mira”.

Lokja Xhezide orën e shihte pa syze edhe telefonin e saj (smart phone) e përdorte si të ishte e re dhe me aq shkathtësi u ngrit në këmbë për të dalë jashtë ta vazhonte muhabetin.

Mbeta pa fjalë. U interesova për ndonjë ngjarje që i kishte mbetë në kujtesë. Ajo më tha; “Kejt pi vogjlisë i maj mend si sot lokes ngjarjet, po qysh janë ndrrue hyqmetet po t’i tregoj ka nja që um kanë metë ma shum n’men. Jam kanë e vogël edhe e maj men kohën e kralit; u kanë shum e shtirë për shiptart; kena hekë shum, e maj men, i kam pa me sytë e mi kur i marojshin gropat edhe i shtishin ka 20-30 mashkuj në to edhe i mlojshin me rrameta (drunjë të gjatë edhe jo shum të trashë); ju shtishin benzin a gaz dishka qashtu edhe i kallshin të gjallë; i nishmi tue piskatë edhe kajshum sa mujshum po s’kishum shka me ba”.

Nga tregimi rrëqethës i mbusheshin sytë me lot. Pastaj shtonte: “E shtirë u kanë koha e krjlit lokes, po as kto qerat kohë nuk janë kana ma të mira për shiptart, jo. Kur ka pasë ardh Gjermani, e maj men, um zuni tollovia në Pidiq tue um que burri te baba me i pa edhe me nejtë naj ditë; ikum n’mal bashk me katunart e Pidiqit, nejtum shtatë ditë në mal, prej atyhit shkum në Remnik, nuk mujshum m’e kalue një gardh; erdhen nja dy burra e rrëxun gardhin edhe na u shpërndajtum në katun; nejtum tri ditë aty, sa kaloi ajo furtuna edhe u kthym në shpitë tona. Krejt kësaj kur ja shton edhe skamën, s’di as shka me të thanë qeter, ma shtirë ma s’ka, po njeri ish shum i fort edhe shka s’po kalojke, masi t’kalojnë të doket se janë kanë heka të lehta”.

Nuk i kishte harrue as imtësitë e historisë dhe asgjë që kishte kalua ajo së bashku me këtë popull e me këtë tokë të vuajtun si ta kishte fatin që gjithmonë të jetë me vuajtje.

Lokja Xhezide e vazhdon kronologjinë e ngjarjeve sipas pushtuesve që e kishin sunduar këtë tokë të hequr nëpër shekuj; “Lokes edhe koha e Rankoviqit u kanë e shtirë, po veç një ngjarje po ju tregoj: ishke dimën edhe një ditë erdhi një shok i burrit tem dhe i tha: Duhesh me um nimue m’e gjetë një armë se nëse nuk e qes nja nesër kanë me ma marrë shpirtin. Burri jem i kishte do shokë në Llajan te Kumanova edhe u nis e shkoi atje natën. I kish gjetë dy: nja për at shokin, nja për vehte. Kur u kthy natën nuk e njofta: ish kanë mlue me krahnezë, a akulla shka t’dush thuj, ish kanë pasë ngri lokes krejt. Kur t’kanë lypë armë e mos m’e pasë dorzue t’kanë ba gjysë njeri se ke pas qare pa e gjetë, ku asht e ku s’asht”.

Sipas saj nuk ishte hiç më e mirë as lufta e fundit në Kosovë; edhe lokja Xhezide kishte hekat e saj gjatë këtij tmerri që e përjetoi igjithë populli. Ajo vazhdon me tregimin e saj: “Edhe lufta e fundit u kanë shum e shtirë për neve, lokes; kena hekë edhe na si krejt. Djali jem e kish porositë njanin me na marrë me na hek pi katunit me na qitë në Maqedoni, edhe pse neve edhe ashtu na qiten shkiet pi shpijave edhe naj kanë kallë krejt shpijat naj kanë ba shkrum e hi, mas luftës, kur jena kthy, skena pasë kurgja hiç. Erdhi ai njeri na muer mu me tri gra t’familjes edhe u nisëm. Kur mrrinum në Gerlicë, na nali policia edhe na qiten pi kerrit, une ktyne grave ju thashë, kur u nisum, merni do tesha t’kqija; veshni edhe hapareshni pak flokt mos t’kenë shka me pa n’neve. Kur ja nisen me na vetë thojshin: Ju i keni qitë burrat në mal, në UÇK e vetë po doni me ikë! Pa na kallxue ku i keni burrat nuk ju lëshojmë, po kena me ju vra, unë u thashë atyne: Ju muni me na vra, po na s’kena ba kurgja; duhni m’u tutë pi Allahit. Njani ma kthej: Ti po dishe me folë shum, dhe tha rrini qaty. E moren at shoferin e veten dishka edhe me do çizme si me baskija nër ja kanë nisë m’i mshue n’kry e banë krejt gjak t’ngratin; m’u dhimt shum, e rrehen shum edhe i thanë: Kthej ku i ke marrë. Qashtu krejt gjak ai gjynahi na kthej ne Sllatinë, ku kemi nejtë deri në fund të luftës. Nuk jam nalë hiç gjatë luftës; masi isha ma plaka dilsha shpesh n’Gillan me ju ble hargj jo veç t’mive po për tri katër shpi blejsha. U përzisha me do magjupe t’Ferizajit. Ni herë na dulen në Livoq edhe na nalen. Um veten: Shka je ti? Ju thashë: Magjupe jam, edhe na lëshuen. Shum kena hekë s’kishke hargj për shpi s’mujshmi me gjetë kurkun tu û ba idare ka pak, po shyqyr u krye edhe kjo kaloi.
Kur jam kthy në shpi e kam pa shkrum e hi; u merzita shum, po faleminer pi djemve: I thirra në telefon pi nji miki n’Kumanovë edhe e mora do hargj për shpi edhe fola me djemtë, po s’mujsha me folë tu kajtë, djali um tha: Oj Nanë shyqyr që ju jeni kejt mirë, keni pshtue krejt, mos u merzit për kurgja, as për shpija as për kurgja; për dy vjet kena m’i ndreq edhe ma mirë se i kena pasë. Edhe faleminderit tash i kena kejt kush ma mirë se na nuk asht”.

Kjo ishte më e pakta e asaj që i kishte ndodhur nga gjithë okupatorët, për jetën e saj me burrin, me fëmijët e me familjen tjetër, ajo tregon: “Te baba para se m’u martue e kemi pasë jetën si tanë me heka e me skame, fukarallak mos vet, jo veç na po skame u kanë gjithkah, i kam pa me sytë e mi njerzit (burra e gra) ktynihere te ara tue prashitë prej ujës kanë shti guri nër uçkur te dimijave edhe tojës (rrip) te pantollave mos m’i dhimtë barki se i shpraztë lokes, e sa e sa si ai janë kanë mos vet.

Kur u martova me burrin e kam pasë jetën e rehatshme, kurrë s’kam pasë as edhe nje problem ma të voglin, kurrë llafin dy s’ja kam ba. Ai i ka pasë shtatë vllazni; tri kunata um kanë pasë dekë për nji vjet; i lanë fminë jetima, po faleminer pi Allahut, kushtet nuk i kemi pasë të kqija. I kemi pasë shum ma mirë se n’opqinë (te baba). Unë vetë i kam rritë tetë fmitë e tyne, po edhe fminë e mi i kam rritë; vetë burri vdiq i ri dhe um la me pesë fmijë. I kam rritë me heka e me skame, po tash janë secili ma mirë se qetri. Faleminderit pej tyne kurrë nuk ma kanë ba llafin dy; um kan ngue, janë kanë shum t’urtë kurrë nuk um kanë pru probleme n’shpi. Unë çdo mbramje i kam këshillue, mos me vjedhë, mos me rrejtë e mos m’u halitë, kurrë natën fmija mi s’kanë njetë jashtë shpije. Lokes, në kohën tonë ka pasë marre shum; neve na ka ardhë marre edhe bukë me lypë e ke hangër qata që ta kanë qitë përpara edhe qaq; tjetër kohë û kanë ktyneherë. Në kohën tonë ka pasë skame: teshat nuk ke mujt m’i dallue çfare janë pi harrnave, jarganat janë kanë krejt harrna; ni copë harren me gjetë ja nojshum jarganit; na lokes kena hanger 20 veta në nji sahan, kemi hangër uflla e hitha, që i kemi mledhë napër mall e sot njerzit nuk po dinë m’u ngi, ju kanë dalë t’mirat përmi kapuç lokes; shka po shof sot s’po guxoj as me kshyr; jena prishë kejt; s’jan ka e kanë gajle që kanë m’u ba azap hiç. Edhe ka imani s’jena kërkah hiç, po nashta koha koka qeshtu e s‘kemi shka me ba”.

Edhe ni herë këmbëngula në atë që ka ndikuar në jetëgjtësinë e saj edhe ajo me tha një porosi të rëndësishme: “Ushqimi taze lokes, buka e kallamojtë na kanë nimu neve me jetue gjatë e pa smuja; në kohën tonë s’na ka metë kurrë bukë për t’nesermen, për ditë kemi gatue taze. Ju sot i mani purrit e pitet ka katër muj n’friza e po doni m’u kanë pa smuja, e s’ka qysh lokes”.

Kështu e përfundoi tregimin e saj lokja Xhezide, që kishte edheshumë gjëra të thera tëtregonte. (Viti, 2 dhjetor 2018)
/Muhamed Sadriu–‘Bukuria e Rrudhave’/
…………………………………………………………
Note: Mediafokus.info mban ekskluzivitetin e publikimit të artikujve nga libri ‘Bukuria e Rrudhave’. Ndalohet rreptësishtë kopjimi dhe përdorimi i tekstit apo copëzave të tij.