Shkencëtarët konfirmojnë gjetjen e më shumë vendeve me ujë të ngrirë në Hënë
Shkencëtarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raportuar se ana e ftohtë e Hënës, e cila kryesisht qëndron në hije, mund të përmbajë ujë të ngrirë në sasi më të mëdha sesa hamendësohej më parë.
Teksa vëzhgimet e mëparshme kanë treguar miliona tonë akull në krateret me hije të përhershme të poleve të hënës, disa studime të botuara në revistën Nature Astronomy e çojnë në një nivel të ri gjendjen e ujit në sipërfaqen e Hënës.
Zbulimi i fundit është lajm i mirë për planet hapësinore të së ardhmes, të cilat synojnë ta kthejnë Hënën në një bazë uljeje austronautësh. Ata mund t’i eksplorojnë këto zona dhe me resurset e gjetura të mund të riprodhojnë karburant për raketat kozmike.
Sipas një ekipi hulumtuesish të drejtuar nga shkencëtari Paul Hayne i Universitetit të Kolorados më shumë se 40 mijë kilometra katrorë të terrenit hënor kanë kushte të përshtatshme për të mbajtur ujë në formën e akullit. Hayne thotë se sasia e akujve mendohet të jetë të paktën 20 për qind më shumë se sa hamendësohej më parë.

