Shkëputen ortekët në Austri, 6 të vdekur

Autoritetet austriake kanë njoftuar për vdekjen e gjashtë personave nga ortekët.

Sipas njoftimit të policisë, së paku pesë persona u goditën nga një ortek i madh të dielën në mëngjes. Viktimat ishin pjesë e një grupi që ishin duke u ngjitur në vargmalet Dachstein.

Policia lokale tha se pesë trupa janë nxjerrë nga bora e ortekut, i cili filloi të shembej nga një lartësi mbidetare prej 2800 metrave.

Autoritetet raportuan se viktimat janë nga Republika Çeke.

Ndonëse policia beson se nuk ka trupa të tjerë, ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet në disa zona të tjera, tha njëri prej zyrtarëve për një agjenci austriake të lajmeve.

Në një rast tjetër, një polic 33-vjeçar u mbyt nga orteku në rajonin Carinthia, afër Majës Grossglocker.

Policia lokale tha se pjesëtari i saj vdiq gjatë kohës kur ishte duke marrë pjesë në ushtrime trajnuese, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ortekët janë mjaft të shpeshtë në malet e Austrisë. Në janar të vitit të kaluar, një djalë 16-vjeçar u mbyt nga orteku përderisa po skijonte.