Shkolla e Agrobiznesit në Gjilan pagëzohet me emrin e ish-profesorit të saj, Sahit Baftiu
Në 23-vjetorin e rënies dëshmor të profesorit Sahit Baftiu, së bashku me djalin e tij dhe vëllain, Ministria e Arsimit ka marrë vendim që shkolla e Agrobiznesit në Gjilan të mbajë emrin e tij.
Ish-drejtori i Arsimit, Nazim Gagica ka thënë se ndihet jashtëzakonisht i lumtur që nisma e tyre, së bashku me shkollën dhe shoqatat e dala nga lufta, u miratua nga MASHT-i.
Sahit Baftiu ka punuar në këtë shkollë para luftës.
Baftiu ishte ndër të rrallët profesorë të asaj kohe që nuk i gjykoi demonstratat e studentëve të vitit 1981, shkruan Mediafokus.info
Ishte ndër të paktët që me guxim i mbrojti simbolet kombëtare.
Me padurim e priti themelimin e UÇK-së në Zhegoc, të cilës iu bashkua me kënaqësi, për të dhënë kontributin e tij në çlirimin e vendit.
Para 23 vitesh, në ofensivën e Zhegocit, u vra edhe profesori Sahit Baftiu (1952), me djalin Kastriotin (1985) dhe vëllain Shahinin (1959).
Ata u vranë nga forcat serbe, në pjesën jugore të fshatit, tek vendi i quajtur “Lugu i Demës” dhe janë ndër 31 të rënët në Malësinë e Zhegocit, më 15 e 16 prill 1999.
Më 15 prill 1999, forca të shumta të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë kishin ndërmarrë një ofensivë të madhe në drejtim të fshatit Zhegoc, ku ishte selia e Zonës Operative të Karadakut dhe ku po strehohej edhe një numër i konsiderueshëm i popullsisë civile.
Sahiti asnjëherë nuk ishte pajtuar me regjimin komunist të asaj kohe, të cilin e kishte kundërshtuar sa herë që kishte pasur rast. Vazhdimisht e ngrinte zërin ndaj padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar.
‘Mbaj mend se si në një mbledhje, me një guxim të pashoq iu kundërvu kryepolicit serb, Bogdanoviq dhe e sulmoi politikën kriminale të Beogradit ndaj shqiptarëve.
Guximin e Sahitit nuk e kishte gjithkush. Vazhdimisht ngrinte zërin dhe kundërshtonte padrejtësitë e pushtetit.
Për këtë arsye, regjimi i kohës e kishte halë në sy profesorin e Bujqësisë, Sahit Baftiun, të cilin e përcillte këmba këmbës.
Ai ishte një profesor i shkëlqyer në punën e tij me nxënës. Atyre nuk u përcillte vetëm mësimet nga agronomia, por kujdesej që tek brezi i ri të transmetonte edhe mesazhin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës’ thotë kolegu dhe bashkëvendësi i tij, Nazif Sylejmani. /Mediafokus.info

