Shkon në 22 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Greqi
Një tërmet i fuqishëm goditi të premten Detin Egje midis bregdetit turk dhe ishullit grek të Samos, duke vrarë të paktën 22 njerëz dhe duke plagosur mbi 700 të tjerë, si dhe duke shembur shumë ndërtesa, thanë zyrtarët.
Në Turqi u raportua për së paku 20 të vdekur, ndërsa dy njerëz vdiqën në ishullin grek të Samos dhe 19 u plagosën.
Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në 17 ndërtesa të shembura, ose të dëmtuara, janë duke vazhduar në Izmir.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, telefonoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për të shprehur ngushëllimet e tij.
“Pavarësisht nga dallimet tona, këto janë raste kur njerëzit tanë duhet të qëndrojnë së bashku”, tha ai në Twitter. Të dyja vendet kanë qenë të përfshira, tash e sa muaj, në mosmarrëveshje lidhur me eksplorimin e gazit në Detin Mesdhe. Biseda pasoi atë mes dy ministrave të jashtëm më herët.
Sipas dëshmitarëve, me të ndodhur tërmeti, njerëzit vrapuan në rrugë në panik në qytetin bregdetar të Izmirit. Disa lagje u mbushën me ujë deti, i cili shkaktoi përmbytje.
Kryetari i Izmirit, Tunc Soyer, tha se rreth 20 ndërtesa janë rrëzuar në provincë. Guvernatori i Izmirit tha se 70 vetë ishin shpëtuar nga rrënojat.
“Për fat të keq, katër nga shtetasit tanë humbën jetën gjatë tërmetit”, shkroi më herët në rrjetin social Twitter, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca.

