Shkrimi i publicistit serb në Al Jazeera: Vuçiq është pajtuar me humbjen e Kosovës
Publicisti serb, Nenad Kulaçin e ka shkruar një opinion në Al-Jazeera në gjuhën serbe, ku ka argumentuar se si presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “është pajtuar me humbjen e Kosovës”.
“Nëntëdhjetë minuta pas nisjes së avionit presidencial francez nga pista e aeroportit Nikola Tesla në Beograd, ku po transportohej presidenti Emmanuel Macron, forcat speciale të Kosovës bastisën ato pak institucione serbe që kishin mbetur në veri të Kosovës”.
Kështu e nis shkrimin e tij Kulaçin, duke përshkruar se si Vuçiqi u nis po atë ditë për në Pragë, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq ishte mbledhur me disa persona për të kënduar këngë nacionaliste dhe se si kryeparlamentarja serbe, Ana Bërnabiq e vazhdoi “turin e saj në programet e mëngjesit”.
“Të gjithë, në krye me Vuçiqin, sikur ishin pajtuar me faktin se Kosova ishte e humbur. E gjithë kjo ta kujton shumë riintegrimin paqësor të Sllavonisë dhe Baranjës në Kroaci në fillim të vitit 1998”, shkruan ai.
“Që prej ardhjes së Vuçiqit në pushtet, serbët e kanë humbur në mënyrë të njëpasnjëshme juridiksionin pjesë-pjesë dhe ia kanë dorëzuar autoriteteve në Kosovë. Së pari, me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, Beogradi ia dorëzoi Prishtinës vetëqeverisjen lokale, e cila që atëherë është zgjedhur në përputhje me ligjet e Kosovës”.
“Në atë pako është pranuar policia e Kosovës dhe një numër i madh i serbëve e kanë pranuar atë uniformë të re. E gjithë pjesa veriore e Kosovës, duke përfshirë enklavat me shumicë serbe, hynë nën sistemin gjyqësor të Kosovës. Gjithçka që ish-presidenti i Serbisë Boris Tadiq nuk ka dashur ta pranojë, Vuçiq e ka pranuar me nënshkrimin e kryeministrit të atëhershëm Ivica Daçiq dhe mbi të gjitha – tërheqjen e strukturave paralele serbe nga Kosova”, shkruan ai.
Gazetari serb thotë se “Vuçiq arriti t’i portretizojë të gjitha këto si fitore të politikës së tij”.

