Shkurte Fejza: Të organizojmë një koncert dedikues për Parasqevi Simakun
Këngëtarja e njohur kosovare, Shkurte Fejza ka bërë një thirrje emocionuese përmes llogarisë së saj në rrjetet sociale, duke shfaqur dashuri dhe respekt për artisten Parasqevi Simaku, e cila ka prekur zemrat e publikut me zërin e saj unik ndër vite, por që tani po jeton ditë të vështira.
Në postimin e saj, Shkurte Fejza shprehet:
“Kështu e kujtoj Parasqevi Simakun dhe dua ta shoh të lumtur dhe të kthyer në jetë. Të bëjmë diçka për të, nëse është e vërtetë ajo që shkruhet në media. Të organizojmë një koncert të madh dedikuar Parasqevi Simakut.”
Kujtojmë se në një video e cila po qarkullon në rrjetet sociale, ka ngritur dyshime se një grua e cila flet në një intervistë të shkurtër për kanalin amerikan “ABC7”, mund të jetë këngëtarja ikonike Parashqevi Simaku.
Në këto pamje shihet një grua e cila flet për ndihmat sociale amerikane duke thënë se “na mbajnë gjallë”, ndërsa emrin e vendosur në strishë e ka “Simaku Nohfe”.
Thirrja e Shkurte Fejzës ka ngjallur reagime të shumta pozitive në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës shprehen të gatshëm për të mbështetur një nismë të tillë dhe për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm të një prej zërave më të fuqishëm të muzikës shqiptare.

