Shoqata e Informatikës komunikon me autorët e raportit botëror për Shkencë Kompjuterike

Kryetari i Shoqatës së Informatikës, Ridvan Bunjaku u shkroi autorëve (Emiliana Vegas, Michael Hansen dhe Brian Fowler) të raportit “Building skills for life – How to expand and improve computer science education around the world” (Ndërtimi i aftësive për jetën – Si të zgjerohet dhe përmirësohet edukimi i Shkencës Kompjuterike në mbarë botën).

Shkas ishte harta e botës, në të cilën Kosova ishte pjesë e Serbisë. Në vijim komunikimi:

Përshëndetje Michael. Po ju shkruaj si Kryetar i Shoqatës së Informatikës së Kosovës. E vlerësoj raportin tuaj (Ndërtimi i aftësive për jetën) dhe po i shpërndaj gjetjet në të gjitha rrjetet e mia. Është hulumtimi i parë në nivel botëror dhe mendoj se keni bërë punë të shkëlqyer. Megjithatë, e kemi vërejtur se Kosova është pjesë e Serbisë në hartën e botës. Vetëm desha t’ju njoftoj për këtë dhe t’ju kërkoj dashamirësisht të jeni të kujdesshëm në punën e ardhshme. Supozoj se keni punuar me të dhëna që nuk janë përditësuar sa i përket ndryshimeve politike, por siç e dini, SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet dhe po ashtu edhe 116 vende të tjera:

https://www.mfa-ks.net/politika/484/lista-e-njohjeve/484

Përshëndetjet më të mira, Ridvani

***

Përgjigjja e njërit nga autorët:

Faleminderit për shënimin, Ridvan, dhe kërkojmë falje për lëshimin – nuk kemi synuar kurrfarë ofendimi nga ana jonë. Këtë do ta ndaj edhe me bashkautorët e mi. Do të përpiqemi të sigurojmë përfaqësim dhe kufij më të saktë politikë në punët e ardhshme.

Përshëndetjet më të mira – Majk.