Shpërthen goma e kamionit, i merr jetën punëtorit të gomisterisë
Një person i moshës 53-vjeçare ka humbur jetën këtë të premte në Lezhë derisa po frynte gomën e një kamioni.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Spitenit”, në superstradën Lezhë-Milot, në një servis automjetesh.
Policia tha se viktimë mbeti shtetasi S. M. 53 vjeç. Panorama mëson se gomisti Spas Milloshi, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga shpërthimi i gomës së kamionit.
Lezhë / Informacion paraprak
Rreth orës 08:30, në një servis automjetesh në afërsi të Kryqëzimit të Spitenit, shtetasit S. M. 53 vjeç, gomist pranë servisit, duke punuar, i ka shpërthyer një gomë automjeti, e për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.