Shpërthime në aeroportin e Kabulit, raportohet për 10 ushtarë amerikanë të vrarë
Në aeroportin e Kabulit ka ndodhur një shpërthim. Raportohet për 10 ushtarë amerikanë të vrarë nga shpërthimi.
Ndërsa mediat amerikane njoftojnë për 10 ushtarë të vrarë, “Al-Jazeera” raporton se numri i të vdekurve është rritur në 25 dhe numri i të plagosurve në 90.
Kurse “Associated Press” citon zyrtarët amerikanë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti për agjencinë, të kenë thënë se ata besonin se “sulmi ishte kryer pa diskutim nga organizata terroriste DAESH”.
Një zyrtar tjetër amerikan deklaroi se “sipas raportimeve të para, bëhet fjalë për një sulm vetëvrasës”.
Ndërkohë në mbrëmje u dëgjua një shpërthim tjetër në Kabul.
Shpërthimet jashtë aeroportit të Kabulit i konfirmoi edhe zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, i cili u shpreh se ka viktima nga radhët e amerikanëve dhe civilëve.
“Ne mund të konfirmojmë se shpërthimi në Portën Abbey ishte si pasojë e një sulmi kompleks që rezultoi në disa viktima amerikane dhe civile. Ne gjithashtu mund të konfirmojmë të paktën një shpërthim tjetër në ose pranë Hotelit Baron, një distancë të shkurtër nga Porta Abbey”, ka shkruar ai në Twitter.
Forcat amerikane e kanë nën kontroll aeroportin teksa vazhdojnë evakuimet përpara afatit të 31 gushtit.
Mijëra persona janë duke pritur në aeroport për evakuim, ndërsa turma të mëdha janë mbledhur jashtë territorit të aeroportit, duke pritur të largohen nga vendi.

