Shpiket makina që prodhon ujë nga ajri – shpresë e re kundër thatësisë

Fituesi i Çmimit Nobel, profesori Omar Yaghi, ka prezantuar një shpikje që mund të ndryshojë mënyrën si sigurohet uji në zonat më të prekura nga thatësira dhe fatkeqësitë natyrore.

Me anë të asaj që quhet “kimi retikulare”, ai ka krijuar një pajisje që nxjerr lagështi nga ajri, edhe në kushte të thata si në shkretëtirë, duke prodhuar deri në 1.000 litra ujë të pastër në ditë.

Sistemi është zhvilluar nga kompania Atoco. Ka madhësinë e një kontejneri dhe punon pa u lidhur fare me rrjetin elektrik.

Shfrytëzon nxehtësinë e ambientit në nivele shumë të ulëta, gjë që e bën të përshtatshëm për ishujt e Karaibeve dhe vendet ku infrastruktura dëmtohet shpesh nga stuhitë.

Ndryshe nga shkripëzimi i ujit të detit, që mund të dëmtojë jetën detare për shkak të kripës së përqendruar që kthehet në det, kjo teknologji është shumë më e pastër për mjedisin dhe lë gjurmë minimale karboni.

Sipas Organizata e Kombeve të Bashkuara, rreth 2.2 miliardë njerëz në botë ende nuk kanë qasje në ujë të sigurt për pije. Për këtë arsye, nxjerrja e ujit nga ajri po shihet si një zgjidhje reale për të ardhmen.

Historia personale e profesorit lidhet ngushtë me këtë shpikje. Ai u rrit në një kamp refugjatësh në Jordani, pa ujë të rrjedhshëm. Pikërisht kjo përvojë e shtyu të punojë për një zgjidhje që sot mund të ndihmojë miliona njerëz.

Pas marrjes së Nobelit në vitin 2025, ai tha se synimi i tij është t’u lërë brezave të ardhshëm jo vetëm teknologji, por një botë më të jetueshme.

Në vende ishullore si Grenada, kjo pajisje është pritur me shumë interes. Aftësia për të prodhuar ujë në mënyrë të pavarur shihet si një mbështetje jetike, sidomos kur sistemet tradicionale dështojnë. /Motilokal.com