“Shqipëria është vendi ideal për të vdekur” – shpërthen artisti Robert Aliaj

Robert Aliaj (Dragot) nga Tirana, me banim aktual në Belgjikë, është shprehur i zhgënjyer me gjendjen në atdheun e tij, ka thënë se “Shqipëria është një vend ideal për të vdekur”.

Sipas tij, “një populli që lufton vetëm për bukën e gojës, nuk ka nevojë për kulturë, as s`ka arsye për të kërkuar ndryshime sociale, i duhet vetëm një furrë buke dhe një nevojtore”.

Robert Aliaj është një artist shumëdimensional, i njohur për punën e tij si piktor, këngëtar, producent dhe aktivist i artit bashkëkohor.

Në vitet 1980-1990, ai nisi karrierën si këngëtar pop, ndërsa në fund të viteve ’90 u rikthye në pasionin e tij të hershëm, pikturën.

Puna e tij është figurative dhe përdor një gamë të gjerë teknikash, përfshirë fotografinë, filmin, instalacionet dhe animacionin.

Ai ka trajtuar tema sociale dhe politike, duke reflektuar mbi periudhën e kalimit të Shqipërisë nga komunizmi në demokraci.

Robert Aliaj është i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve shoqërore dhe kulturore në Shqipëri. Ai ka shprehur shqetësim për shembjen e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar si një humbje të një pjese të identitetit kombëtar.

Gjithashtu, ai është një mbështetës i shprehjes individuale dhe ka promovuar përdorimin e fundeve nga meshkujt si një formë shprehjeje të stilit personal dhe kundërshtim ndaj paragjykimeve. /Mediafokus