Malësori i Muçibabës lahet në lumin e ngrirë (Video)
Nuk janë vetëm rusët ata që lahen në temperatura të ulëta, kur ngrin edhe lumi, po këtë e bëjnë edhe shqiptarët, ndonëse vetëm ndonjë i rrallë, si Vehid Ibrahimi nga Muçibaba e Gjilanit, shkruan Mediafokus.info.
Në temperatura -6 gradë, Vehidi jo vetëm se thyen akullin me këmbë, i zbathur, por edhe hyn e lahet në pellgun e lumit, pa u rrëqethur fare.
Ai nuk bën sikur disa, që i fusin vetëm këmbët, ose gjysmën e trupit, por zhytet i tëri nën ujë, këmbë e kokë.
Zhytja në ujëra të ftohta, në temperatura minus gradë, nuk është traditë dhe as praktikë ndër ne, por ja që Vehid Ibrahimi e bën edhe këtë sfidë, duke injoruar këtë dimër, ndër më të ftohtit viteve të fundit, madje në një lartësi mbidetare mbi 800 metra.
Rajoni i Gjilanit njihet për temperatura të ulëta. Sipas meteorologut Sylë Tahirsylaj, në vitin 1963 këtu është regjistruar temperatura më e ultë ndonjëherë në Kosovë, minus 32.5 gradë. /Mediafokus.info/

