Shqiptari në Skoci dënohet me 10 vjet burgim, e ndoqi me sharrë elektrike policin në rrugë dhe goditi tavolinën e gjykatësit

Liridon Kastrati, 32-vjeç, është dënuar me 10 vjet burg për shkak se u përpoq të vriste një polic në një qytet të Skocisë, më 6 maj 2024, pasi e kishte ndjekur atë nga pas me sharrë.

Ngjarja ndodhi pas një aksidenti me makinë, ku Kastrati goditi një automjet policie.

Polici tha në gjykatë se kishte tentuar ta arrestonte, por u detyrua të ikte, pasi Kastrati u kthye, mori sharrën elektrike dhe filloi ta ndiqte duke fyer policin.

Gjyqtari e përshkroi sulmin si “të tmerrshëm dhe të shëmtuar”, duke thënë se përdorimi i sharrës si armë është i paparë në gjykatat skoceze dhe se veprimet e Kastratit kërkonin një dënim të rëndë.

Gjatë shpalljes së dënimit, Kastrati u zemërua, goditi tavolinën e gjykatësit dhe e ofendoi duke e quajtur “terrorist” para se të shoqërohej nga rojet.

Polici i sulmuar është rikthyer në punë dhe kolegët e tij u përgëzuan për “guxim dhe profesionalizëm ekstrem”.

Avokati i mbrojtjes argumentoi se Kastrati, mjetin prerës e kishte për të pastruar oborrin e tij dhe veproi në mënyrë spontane pas aksidentit, duke shtuar se Kastrati ishte penduar.