Shqiptarja në Spanjë e dhunoi për vdekje të birin 2-vjeç
Një shqiptare 32-vjeçare vrau fëmijën e saj 2-vjeçar dhe ushtroi dhunë mbi binjakun e tij disa ditë më parë në Spanjë. Mediet spanjolle e kanë identifikuar si Hatixhe Kamxhiu.
Trupi i 2-vjeçarit ishte i mavijosur dhe me shenja dhune. Në fillim çështja u trajtua si aksident, por duke parë lëndimet që ishin në trupin e vogëlushit, dëshmitë e shqiptares nuk përputheshin me provat.
Ajo kishte deklaruar se fëmija ishte rrëzuar nga karrigia dhe si pasojë e plagëve kishte humbur jetën.
Ditën pas krimit, 32-vjeçarja kishte postuar në Facebook një shirit të zi për vdekjen e të voglit të saj, ku miq të shumtë i kishin shprehur ngushëllimet.
Hatixhe Kamxhiu ka telefonuar në numrin e urgjencës, më 11 qershor, nga Bigastro për të paralajmëruar aksidentin e supozuar që kishte pësuar një nga fëmijët e saj, teksa ishte vetëm me ta në shtëpi.
Policia përveç trupit të pajetë të 2-vjeçarit, konstatoi se në shtëpi ndodhej edhe binjaku i tij, i cili gjithashtu kishte shenja dhune.
Fëmija i mbijetuar u transferua në Spitalin e Përgjithshëm të Alicantes ku u krye një studim i detajuar i dëmtimeve që ai kishte.
Hatixheja nuk kishte precedent penal, por më parë kishte humbur kujdestarinë e të miturve për shkak të varësisë nga droga.
Fqinjët e saj në Bigastro e kujtojnë si një grua të vetmuar me pak miq.
Mediat spanjolle shkruajnë se nëna e binjakëve kishte pasur disa marrëdhënie sentimentale që kur mbërriti në qytet, por askush nuk e dinte se kush ishte babai i fëmijëve.
Tashme Hatixhe Kamxhiu është në duart e drejtësisë dhe akuzohet për veprën penale të vrasjes së të miturit dhe lëndimin e vëllait të tij binjak./abcnews.al/


