Shqiptarja shpallet mjekja më e mirë në Slloveni

Gjinekologia nga Gostivari, Hatije Ismaili sot dekorohet nga presidenti i Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, me çmimin “Mjeku më i mirë në gjithë Slloveninë”. Ajo falë numrit të lartë të pikëve u shpall fituese edhe e çmimit “Mjeku më i mirë i Sllovenisë”.

Ky çmim përfaqëson një akt krenarie jo vetëm për Gostivarin, vendlindjen e saj, por për mbarë shqiptarinë, shkruan njekomb.org

Hatije Ismaili është e lindur në Gostivar, ku edhe e ka kreyer shkollën fillore dy vitet e para të shkollës së mesme. Më pas, u transferua në shkollën e mesme të mjekësisë në Mitrovicë, ku kreu vitin e tretë, ndërsa të katërtin në Prishtinë. Studimet e Mjekësisë i ka kryer në Rijekë të Kroacisë, ndërsa specializimin në fushën e gjinekologjisë – në Lublanë të Sllovenisë. Aktualisht punon në Novo Mesto të Sllovenisë. Është doktoreshë e licensuar e mjekësisë, e specializuar në gjinekologji, me një eksperiencë të madhe profesionale në këtë fushë.

Në mediat sllovene ajo shpesh konsiderohet si një model integrimi i emigrantëve në shoqërinë sllovene e cila ka thyer stereotipet për gratë emigrante: që ato kryesisht qëndrojnë prapa mureve të shtëpisë, nuk janë të arsimuara, nuk punojnë dhe nuk vijnë në takimet e prindërve dhe orët e fjalimeve në shkollë.

Pas studimeve për mjekësi në Kroaci, ajo u transferua në Novo Mesto, 16 vjet më parë, mori një punë si gjinekologe në spitalin e përgjithshëm lokal  ku ende punon dhe krijoi një familje.