Shtëpia e kujt ka qenë muzeu i sotëm i Gjilanit?
Në qendër të qytetit të Gjilanit gjendet objekti i Kajmekamllëkut, i ndërtuar në gjysmën e shek. XIX.
Ky objekt fillimisht ka pasur funksion banimi, ndërsa më vonë, me ndërrimin e pushteteve, është shfrytëzuar si ndërtesë administrative për nevojat e zyrtarëve komunalë, shkruan Mediafokus.info.
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kjo ndërtesë mbajti erë gjaku të shqiptarëve të therur nga forcat serbe, të ashtuquajtura brigadat partizane.
Pas luftës së fundit, një kohë, në këtë objekt ka vepruar logjistika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut dhe më pas ishte zyra e kryetarit të Komunës.
Në vitin 2015, kryetari i atëhershëm i Gjilanit, Lutfi Haziri, këtë objekt ia dedikoi muzeut të Gjilanit.
Objekti ka dy kate dhe bodrumin. Në kat ndodhet dhoma e pritjes së kajmekamit.
Që nga koha e ndërtimit, objekti nuk ka pësuar ndryshime të mëdha, përveç restaurimit të fasadës dhe ndërrimit të kulmit.
Muzeu i sotëm është një objekt i veçantë i arkitekturës, që dallohet nga shtëpitë tjera të qytetit dhe ka vlerë historike. /Mediafokus.info

