Shtëpia e Shaban Agës, e ndërtuar para 145 vitesh
Kjo shtëpi është ndërtuar nga Shaban Aga, i biri i Ahmet Spahisë, para 145 viteve në Përlepnicë të Gjilanit.
Nim Shabani, pasardhës i kësa familje ka thënë se shtëpia është e stilit otoman. Kati përdhese është prej guri, ndërsa kati i parë prej druri të bungut dhe ahut.
Punimet për ndërtim u zhvilluan në verën e vitit 1880. Data është e gdhendur në muret e shtëpisë.
Me kalimin e kohës dhe rritjen e familjes, shtëpia është transformuar sipas nevojave. Një renovim i ndjeshëm i shtëpisë, si kulmi, fasada, dyert, dhe dritaret u bë nga gjyshi Hysen Shabani gjatë viteve 1979-1990.
Restaurimi i fundit (2013-2017) u bë nga Muhamer Shabani ku edhe u shndërrua në muze.
Pjesë e muzeut janë edhe disa relikte si ora muri 150 vjeçare, radio e vitit 1930, telefoni, gjithashtu edhe çypat mbi 100 vjeçar etj.
Përndryshe, këtë shtëpi e ka trashëguar djali i Shaban Agës, Tasimi, më pas djali i Tasimit – Hyseni, pastaj Muhamer Shabani, djali i Hysenit.
Nga kjo derë kanë dalë njerëz të shkolluar e të ditur. Njëri nga ta, Muharrem Shabani e ka kryer shkollimin juridik në Egjipt.
Muhamer Shabani ka dëgjuar prej më të vjetërve, se në këtë shtëpi ka qëndruar edhe Isa Boletini.
Historiani Aliriza Selmani jep më shumë hollësi rreth lidhjeve të Shaban Agës me Boletinin.
‘Shaban Aga ishte gjyshi i nënës time. Sa kam ndegju Shaban Aga kishte bluar në mullirin e Boletinit, ku Isa Boletini kishte fabrikën e gurëve të mullirit. Besoj që aty janë njohur dhe kanë shkemby takime. Meqenëse Isa kishte merak kuajt e mirë dhe Shaban Aga e kishte një të tillë, i thotë Isës qoje një person se ta dërgoj. Isa ia dërgon të hollat, por Shaban Aga ia jep kalin dhe ia kthen të hollat. Kjo do të thotë se ata kanë pasur miqësi e respekt mes vete’, thotë Selmani./Mediafokus.info


