Shtetet serioze mund t’i kritikojnë e t’i rivlerësojnë liderët e tyre, por nuk e hedhin historinë e tyre në mbeturina

Izmi Zeka

Mes kartonëve të grisur, pajisjeve të hedhura dhe rrëmujës së një hapësire të dëmtuar në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se Kosovës, bie në sy një fotografi e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

E vendosur mes mbeturinave, ajo nuk është thjesht një fotografi e harruar. Është një pamje që godet fort dhe që flet më shumë se shumë deklarata politike.

Fotografitë e presidentëve zakonisht qëndrojnë në muret e institucioneve si pjesë e kujtesës shtetërore.

Ato nuk vendosen aty për nder të një individi, por për të shënuar një kapitull të historisë së shtetit.

Kur një fotografi e një ish-presidenti përfundon mes mbeturinave, nuk është vetëm një objekt i hedhur – është një simbol i mënyrës se si trajtohet historia.

Pavarësisht debateve politike që mund të ekzistojnë, një fakt mbetet i pamohueshëm: Hashim Thaçi ka qenë një nga figurat qendrore të proceseve më të rëndësishme të Kosovës, nga lufta për liri deri te ndërtimi i institucioneve të shtetit.

Historia nuk mund të fshihet duke e hedhur një fotografi në një qoshe të mbeturinave.

Pamje të tilla janë më shumë se një rastësi. Ato janë tregues i një kulture politike ku figurat që dje qëndronin në muret e institucioneve, sot mund të përfundojnë në një grumbull kartonësh të hedhur.

Kjo nuk e ndryshon historinë e tyre, por tregon shumë për mënyrën se si ne sillemi me të kaluarën.

Sepse shtetet serioze mund të debatojnë për liderët e tyre, mund t’i kritikojnë, mund t’i rivlerësojnë me kalimin e kohës – por nuk e hedhin historinë e tyre në mbeturina.

Fotografia e Hashim Thaçi e gjetur në atë hapësirë të rrënuar, mbetet një pamje e rëndë.

Jo për shkak të një personi të vetëm, por për mesazhin që përcjell: se në Kosovë, ndonjëherë, harresa politike vjen më shpejt se vetë historia.