Vazhdon subvencionimi i familjeve që shpenzojnë deri në 800 kWh
Kryeministri Albin Kurti ka premtuar subvencionim të rrymës për familjet që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj.
Kështu ka thënë Kurti gjatë një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e komunave, ku ishin të pranishëm edhe ministrat Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati.
“Mbështetja jonë për qytetarët do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë orë në muaj, kurse grupet e cenueshme, siç janë familjet në asistencë sociale, do të kenë trajtim të veçantë”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, tarifat e reja energjisë kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli dhe janë më të shtrenjta për 15 për qind.
Këto tarifa do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.

