Shtyhen pagesat e kredive

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, bëri të ditur së kanë ndërmarrë një mori masash që pritet të implementohen ditëve në vijim, për të përballuar më lehtë gjendjen e krijuar nga pandemia globale e koronavirusit.

Hoti në një konferencë për media pas takimit me Odën Ekononime të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, Aleancën Kosovare të Biznesit dhe Shoqatën e Mullistëve të Kosovës tha se në dakordim me kryeministrin Albin Kurti, kanë ndërmarrë disa masa që pritet t’i paraqiten qeverisë për miratim.

Ndër masat e prezantuara nga Hoti janë; nxjerrja e udhëzuesit të qartë se si të lejohen mallrat të hyjnë në Kosovë, të behet inventarizimi i të gjitha rezervave shtetërore si dhe të përgatitet plani për këto rezerva për tre muajt e ardhshëm duke përfshirë këtu buxhetin përkatës edhe kufizimet e blerjes nga ana e konsumatorëve.

Lidhur me kërkesat e paraqitura nga institucionet ekonomike në vend, ajo për shtyrjen e deklarimit të obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të ndryshme si dhe prolongimin e pagesës së kredive, u morr vendim që të shtyhen deri me datën 30 prill.