Shtypi kroat: “Shoferi i lodhur i çoi në vdekje në vend të atdheut”
Gazeta më e madhe kroate “Jutarnji list” është hapur sot me një titull prekës në ballinë lidhur me tragjedinë e ditës së djeshme të autobusit me mërgimtarë kosovarë, ku humbën jetën 9 prej tyre, bashkë me shoferin ndihmës.
“Shoferi i lodhur i çoi në vdekje në vend të atdheut”, shkruhet në faqen e parë të gazetës.
Titulli i referohet dëshmisë së shoferit, i cili deklaroi në policis se edhe pse kishte vetëm 30 minuta që kishte marrë drejtimin e autobusit, për një moment e zuri gjumi mbi timon dhe kjo bëri që shkaktohet tragjedia e rëndë.
Dhjetë shqiptarë të Kosovës gjetën vdekjen në aksident, ndërsa po ktheheshin nga Gjermania për të kaluar pushimet pranë të afërmve të tyre. Mes viktimave ishin 9 pasagjerë dhe shoferi i dytë, ndërsa u plagosën 42 pasagjerë, prej të cilëve 15 në gjendje të rëndë.
Disa prej tyre tashmë janë operuar, derisa një e mitur dhe një i lënduar tjetër janë dërguar për trajtim në spitalin e Zagrebit./Mediafokus.info

