Shuhet autori i radio emisionit emblematik “Shpirti i lënduar”

Artan Bunjaku, profesori shumëvjeçar i matematikës në Gjilan, është ndarë papritur nga jeta në moshën 46-vjeçare, raporton gazeta online Mediafokus.info.

Por, pakkush prej gjeneratave të reja e di se i ndjeri, përpos punës profesionale, ka shkëlqyer edhe si moderator i emisioneve në radio.

Më zërin e tij të veçantë dhe me elanin e tij, Bunjaku i bënte për vete të gjithë dëgjuesit.

Menjëherë pas luftës, Artan Bunjaku udhëhoqi emisione argëtuese interaktive në radion lokale të Gjilanit Megavox, duke bërë që të harroheshin paksa përjetimet e luftës.

Emisioni emblematik i tij ka qenë “Shpirti i lënduar”, ku çdo të premte pas mestanës, në vitet 2001/2002, i jepte emocion të fortë ‘shpirtave të lënduar’, të cilët dërgonin letra në radio, shkruan Mediafokus.info.

Ndryshe, Artani ishte djali i veteranes së arsimit, Habibe Bunjaku, e cila ndërroi jetë para një jave dhe i Hasan Bunjakut, doajenit të gazetarisë së Anamoravës.

Vdekja e papritur e tij ka tronditur jo pak njerëz që e kishin për zemër.

Drejtori i gjimnazit “Zenel Hajdini, Sami Hoxha, është shprehur i tronditur me lajmin e mortit.

“Njerëz të tillë vijnë rrallë në këtë jetë, për qëllime vetëm pozitive dhe kontribut te jashtëzakonshëm në shumë fusha të jetës. Veprat e tij do të rrojnë mes gjeneratave te shumta, që ai nuk rreshti duke iu dhënë nga vetja, edhe në kohet më të vështira”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Artan Bunjaku la pas vete gruan dhe dy fëmijë./Mediafokus.info/