Shumë gjarpërinj në Kosovë, IKSHPK jep udhëzime si të mbroheni

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka apeluar tek qytetarët që të mbrohen nga kafshimet e gjarpërinjve.

IKSHPK ka dhënë informacione për vendet ku mund të ndodhen gjarpërinjtë dhe po ashtu ka dhënë disa këshilla me rëndësi për qytetarët.

“Gjarpërinjtë ndodhen në vende të thata dhe shkëmbore, në pyje, në degë të drunjve, nën gurë, grumbuj drunjëve, apo rrënoja të vjetra, pranë lumenjve, pusetave të ujit, liqeneve ose tokave bujqësore”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se aktivë gjarpërinjtë janë nga muaji maj deri në shtator, sidomos në ditë të nxehta, rrinë gjatë të kamufluar/fshehur mirë duke pritur gjahun e tyre teksa thuhet se njeriu nuk është cak i kafshimit të gjarpërit, por nësë shkelet padashje ose ngacmohet, atëherë gjarpëri sulmon njeriun.

IKSHPK ka publikuar disa këshilla, si duhet të mbrohemi:

  • Veshje të gjata dhe çizme kur ecni në natyrë
  • Përdorni shkop për të kontrolluar shkurret apo gurët para se të hidhni hapin
  • Shmangni barin e lartë dhe rrugicat e papastruara
  • Mbani oborrin dhe ambientin përreth shtëpisë të pastër – hiqni gurët, grumbujt e drunjëve dhe shkurret ku gjarpërinjtë mund të strehohen
  • Përdorni dritë dore gjatë natës në vende të errëta ose në natyrë

Kujdes

  • Mos u afroni dhe mos u përpiqni të ngacmoni apo vrisni gjarpërinjtë
  • Mos fusni duart në vrima (në tokë apo në drunj të gjatë), nën gurë apo në shkurre
  • Mos ecni zbathur në natyrë

Nëse ju kafshon gjarpëri:

Qëndroni të qetë dhe mos lëvizni shumë

Mbajeni gjymtyrën e kafshuar të palëvizshme dhe nën nivelin e zemrës

Thirrni urgjencën (194), policinë (192) ose shkoni menjëherë në qendrën më të afërt shëndetësore

Mos e prekni apo preni vendin e kafshimit

Mos e thithni apo ndrydhni helmin nga vendi i kafshimit

Mos i vendosni rrip apo çfarëdo lloj lidhëse plagës së kafshimit

IKSHPK thekson se shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues, por kafshimi nga nepërkat (gjarpëri më helmues në Evropë) mund të jetë i rrezikshëm pa trajtim.