“Shumë i guximshëm qenke, pasi ke ardhur këtu”: Koci shpjegon si u prit nga zyrtarët në Serbi
Avokati Arianit Koci, i cili është i autorizuar për të kryer procedurat e nevojshme që trupi i Faton Hajzirit të kthehet në Kosovë, ka ndarë detaje gjatë qëndrimit në Serbi.
Ai thotë se kur shkoi në Lloznicë të Serbisë, zyrtari i morgut është habitur, dhe e ka filluar bisedën me shumë hezitim.
“E kishte njohur policin e vrarë. ‘Fatonin e ke këtu prapa teje. As një metër larg! – me shikonte në sy, duke folur. ‘Shko në stacionin e policisë. Po të presin.’ – ishte lamtumira e tij!”, tha tutje juristi.
Avokati thotë se një oficer serb e priti me fjalë kërcënuese në stacionin e policisë në qendrën e qytetit, duke i thënë “Shumë i guximshëm qenke, pasi ke ardhur këtu”.
Koci, deklaroi se pas kësaj oficeri, duke folur dhe duke i përcjellë reagimet e tij, i tha se: “Lloznica është qytet i vogël, dhe të gjithë e njohim njëri tjetrin. Polici i vrarë ka punuar mu në këtë stacion, dhe ka qenë më i urti dhe më i qeti prej neve”.
“Me sjellje të mira dhe profesionale, iu shpjegova rolin tim si avokat. I dorëzova dokumentet e të vrarit nga policia, Faton Hajrizi”, shpjegoi tutje ngjarjen ai, përmes një postimi në Facebook.
Ai thotë se pas kësaj e e mbajti tempon e bisedës, duke e vëzhguar situatën rreth vetës, me “bisht të syrit”.
Koci thotë se hetuesi pasi filluan zyrtarisht takimin i ka thënë se i ka ardhur rëndë kur e pa parë atë, ndërsa ardhjen e tij e ka cilësuar si provokim, ndërsa e ka përsëritur shprehjen “më befasoi guximi yt”.
“Dje jam zgjuar në orën pesë të mëngjesit dhe kam udhëtuar për Beograd the Lloznicë. Tërë ditën në punë, takimin e fundit e kam përfunduar pas mesnatës. Sot, në orën gjashtë të mëngjesi, veç kam dalë prej hotelit në Beograd! Kafën e mëngjesit, po e përcjelli me shtypin ditor serb. Nacionalizëm, primitivizëm dhe folklorizëm patriotik. Mediat po e helmojnë popullin në Serbi”, tha ai.
“Çështja e kthimit të trupit të Fatonit, e ka marrë kahjen e vet. Do të kthehet. Vetëm është çështje kohe dhe procedurash!”, theksoi ai.

