Si duhet të ushqehemi për një zemër të shëndetshme
Ajshe Leka
Dieta mesdhetare është e njohur për reduktimin e mundësive që të prekemi nga sëmundjet e zemrës.
Kjo dietë fokusohet në një përzgjedhje të lartë me fruta dhe perime të cilat janë aleate në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Perimet me gjethe jeshile dhe perimet e tjera janë të pasura me vitamina, minerale dhe fibra dhe kanë pak kalori, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e zemrës.
Në këtë grup të perimeve bëjnë pjesë: spinaqi, brokoli, lulelakra, karota, hudhrat, fasulja, bizelja, patatja, qepët, avokado, domatet.
Në grupin e frutave bëjnë pjesë: molla, portokalli, dardha, boronica, luleshtrydhet, mandarinat, fiqtë, manaferra, bananet, ananasi, shega, pjepri, limoni, kivi, qershitë.
Drithërat sigurojnë vitamina, minerale dhe fibra që ndihmojnë për ta mbajtur zemrën të shëndetshme.
Salmoni është i pasur me acide yndyrore të shëndosha dhe omega 3. Konsumimi i tij dy herë në javë zvogëlon për 30 për qind mundësinë e vdekjes nga sulmi në zemër.
Arrat përmbajnë yndyra të shëndetshme, vitaminë E dhe substanca të tjera natyrore, që ndihmojnë për të mbajtur nivelet e kolesterolit nën kontroll. Arrat janë gjithashtu një burim i mirë i acideve yndyrore omega-3 me bazë bimore si dhe bajamet, farat e lulediellit, fara kia, farat e lirit etj.
Qumështi është një tjetër ushqim i mirë për sëmundjet e zemrës, por për të kuruar këto probleme rekomandohet ai pa yndyrë.
Yndyrat: Vaji i ullirit është një mrekulli për zemrën. Ky lloj vaji përmban acide yndyrore të pangopura, të cilat në mënyrë pozitive veprojnë në metabolizmin e yndyrave në mëlçi, rregullojnë kolesterolin, mbrojnë zemrën, gjë që pakëson mundësinë e prekjes nga sëmundjet e ngurtësimit të enëve të gjakut, infarkti, tromboza dhe njëherësh rregullojnë tensionin e gjakut.
Rol të rëndësishëm luan edhe vaji i kokosit dhe vaji i peshkut.
Avokado: Është e pasur në yndyra të shëndetshme, të ngjashme me vajin e ullirit, përveç se përmban shumë vitamina dhe fitokemikale që punojnë si antioksidantë për të mbrojtur zemrën dhe pjesë të tjera të trupit.
Çokollata e zezë: Studiuesit tani besojnë se sëmundjet e zemrës dhe tensioni i gjakut janë sëmundje të rralla në ishujt San Blas (Islandë}, pasi që njerëzit atje konsumojnë shumë çokollatë të zezë, e cila përmirëson qarkullimin e gjakut në vena.
Vera e kuqe: Vera e kuqe përmban polifenole që mund të jenë të mira për zemrën tuaj. Por duhet që verën e kuqe ta konsumoni në masë të caktuar.
Ushqimet që duhen evituar
Ndërkaq duhet shmangur ose kufizuar disa ushqime që përkeqësojnë sëmundjen e zemrës.
Këtu përfshihen: mishrat e përpunuar si sallamet ose salsiçet të cilat kanë nivele të larta të yndyrave të ngopura.
Shumë studime kanë zbuluar se ngrënia e ushqimeve të skuqura, siç janë patatet, apo çdo ushqim tjetër i shpejtë, rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Pijet me ëmbëltues shtesë, patatinat, ëmbëlsirat e pjekura, veçanërisht ato që shiten të paketuara nëpër dyqane, janë plot me sheqer dhe me shumë gjasë janë të gatuara me yndyra të ngopura, siç është vaji i palmës ose margarina, brumërat, karamelet.
Sipas shumë studimeve shkencore, pijet e gazuara kanë lidhje me zhvillimin e obezitetit dhe diabetit, që rrisin rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve të zemrës.
Mos harroni: Një dietë e shëndetshme nuk është faktori i vetëm që duhet marrë parasysh kur shfaqen shqetësime në lidhje me shëndetin e zemrës.
Diabeti është një faktor serioz rreziku për sëmundjet e zemrës. Ka efekte të dëmshme në organet e shumta në trup, nëse nuk trajtohet dhe mund të çojë në sëmundje të arterieve periferike, goditje në tru si dhe komplikime të tjera. Nëse keni diabet, duhet të menaxhoni gjendjen tuaj për të parandaluar sëmundjet e zemrës.
Masat parandaluese të sëmundjeve të zemrës për njerëzit me diabet përfshijnë: Kontrollet e rregullta mjekësore, një dietë të shëndetshme dhe aktivitete fizike.
Tensioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni, mund të rrisë stresin në sistemin tuaj kardiovaskular dhe të kontribuojë në sëmundjet e zemrës.
Matja e shtypjes së gjakut dhe analiza e nivelit të kolesterolit në gjak, janë faktorë të cilët mund t’u ndihmojnë të parandaloni sëmundjet e zemrës, pasi që janë dy faktorë paraprijës të çrregullimeve kardiovaskulare.
Tensioni i gjakut mund të ulet përmes: dietës-ushqimit, aktiviteteve fizike, menaxhimit të peshës, duke shmangur stresin, duke shmangur duhanin, duke kufizuar marrjen e kripës, konsumin e alkoolit etj.
Aktivitetet fizike dhe mbajtja e një peshë të shëndetshme janë gjithashtu jetësore për uljen e presionit të gjakut dhe parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
Sipas Klinikës Mayo, ekspertët rekomandojnë të paktën 30 minuta stërvitje në ditë, ose 30-60 minuta ushtrime në shumicën e ditëve të javës. Këto ushtrime nuk duhet të jetë intensive.
Stresi prek të gjithë në mënyra të ndryshme. Ekziston një lidhje midis njerëzve që përjetojnë nivele të larta të stresit gjatë periudhave të gjata dhe sëmundjeve të zemrës.

