Si e vodhën Naim Frashërin, Luta, Fadili e Ragipi, 30 vjet më parë?

Lutfi Haziri, sot kryetar i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetar i LDK’së, bashkë me shokët e tij, Fadil Kajtazin e Ragip Ramadanin, në vitin 1990, e kanë vjedhur këtë bust të Naim Frashërit, i cili qëndron në sfond të Ibrahim Rugovës e Fehmi Aganit, shkruan gazeta online Mediafokus.info.

Enkas për Mediafokus.info, Kajtazi, ish anëtar i Komisionit për Informim të LDK’së në Gjilan dhe të Forumit të Rinisë në vitet 90-ta, ka rrëfyer se këtij veprimi ia kishin mësyrë pasi nuk donin që busti t’i bie në duar serbëve, të cilët veç  e kishin marrë Universitetin e Prishtinës me masa të dhunshme.

“Bashkë me Lutën shkuam në Prishtinë në banesën e tij te shoku ynë, Ragip Ramadani, student i klasës së Agim Çavdarbashës, i cili na tregoi i mërzitur se pasi masat e dhunshme e kanë mbyllur Atelenë e Fakultetit të Arteve, mund ta marrin edhe këtë bust…”, ka thënë Kajtazi për Mediafokus.info.

Por, përse ishte kaq i rëndësishëm ky bust që të mos bie në duart e masave të dhunshme të kohës?

“Ka qenë dhuratë e Odhise Paskalit, i cili cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe njëri nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar”, thotë Kajtazi, teksa rrëfen për si rrezikuan.

“Ragipi na e dha çelësin që e kishte kopje. Shkuam te Atelea pasi ra terri. Ai bëri roje derisa unë dhe Luta e morëm bustin e Naim Frashërit, e futëm ne çantë dhe e dërguam në banesën e Ragipit fillimisht, e pas 4 ditësh në Shoqatën e Shkrimtarëve, e cila veç ishte shndërruar në selinë e LDK’së. Kjo ishte skulptura më e rëndësishme aty”, thotë ai.

Kjo skulpturë e njërit nga poetët më të mëdhenj shqiptar, qëndron sot e asaj ditë në selinë e LDK’së dhe pakkush e ka ditur se si ka ardhur aty./Mediafokus.info/