Qysh funksionoi skema e manipulimit dhe falsifikimit të votave në Prizren?

Në një aksion të gjerë të zhvilluar në Prizren, 109 komisionerë të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, më 23.01.2026, nën dyshimin për manipulim me vota të zgjedhjeve të mbajtura më 28.12.2025. Ndaj 23 prej tyre është kërkuar paraburgim nga Prokuroria e Prizrenit. Masa e paraburgimit është kërkuar për pesë të LVV-së, pesë të AAK-së, tetë të PDK-së, katër të LDK-së dhe një i KDTP-së.

Nga 29.12.2025 deri më 02.01.2026 pretendohet se është periudha e cila u shfrytëzua nga kryesuesit e dyshuar të komisioneve të vendnumërimeve për të bërë manipulim dhe falsifikim të votave në rajonin e Prizrenit.

KALLXO.com ka siguruar informacione për rolin që patën kryesuesit e dyshuar të partive politike në diferencimin e votave për kandidatët për deputet për të cilët u votua më 28.12.2025.

Sipas informacioneve, kryetarët e komisioneve të vendnumërimeve pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 28.12.2025, në bashkëkryerje kishin shtuar e hequr vota të kandidatëve për deputet duke bërë kështu diferencën mes votave përmes deputetëve të partive të ndryshme.

Diferenca u bë thuajse në të gjitha vendvotimet të cilat kanë qenë duke u numëruar. Vetë Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë në konferencën e datës 23.01.2026 se vetëm në një vendvotim ka dalë se nuk ka pasur dallime në vota apo manipulim në Prizren.