Si ironizoi Halil Kqiku me prokurorin serb në gjyqin ndaj tij dhe të tjerëve
Para pesë vitesh ndërroi jetë larg vendlindjes atdhetari Halil Kqiku. Ai vdiq në Gjermani, në moshën 58-vjeçare, shkruan Mediafokus.info
Halili ka qenë një disident i regjimit të kohës, ku edhe ka mbajtur disa vite burg.
Në gjyqin kundër tij, Halili pati ironizuar me prokurorin serb, duke i thënë se “kur janë në pyetje shqiptarët, ju jeni në gjendje ta kualifikoni si tytë tanku edhe një qyngë shporeti, vetëm e vetëm që t’i akuzoni e dënoni ata sa më ashpër”.
Ndër të tjera, Halilit po i përmendej në gjyq edhe një radio-transistor, me të cilin, kinse paska përgjuar policinë serbe.
Halili nuk kishte hezituar të merrte pjesë në çdo aktivitet që kishte të bënte me kundërshtimin e okupimit serb mbi Kosovën.
Ai ishte më shumë se një veprimtar politik. Angazhimi i tij shtrihej edhe në dimensionin kulturor e humanitar dhe kudo tjetër që e kërkonte nevoja.
Halili përfaqësonte veprimtarin e qëndresës vepruese, jo pasive.
Periudhës së mosbindjes qytetare ndaj pushtuesit serb i duheshin personazhe të tillë të përkushtuar si Halil Kqiku. /Mediafokus.info
