Si mbijetoi futbolli kosovar gjatë kohës së okupimit
Shefki Daku
Futbolli në Kosovë përjetoi fat të njëjtë gjatë kohës së okupimit, sikurse të gjithë sektorët tjerë.
Sporti, sikurse arsimi, nuk iu nënshtrua masave të dhunshme, por u vetorganizua dhe vazhdoi garat nëpër fusha e terrene ndihmëse, duke e sfiduar edhe në këtë mënyrë pushtetin okupues, që shqiptarët i kishte përjashtuar nga të gjitha institucionet dhe objektet publike.
Njësoj, shqiptarët u organizuan për të mbajtur gjallë frymën sportive edhe në Anamoravë.
Kampionati i Kosovës në futboll, gjatë vitit 1995, i zhvillonte garat në katër grupe.
Në grupin e Ferizajt-Gjilanit ka bërë gara asokohe edhe KF Studenti nga Dobërçani, së bashku me KF Gjilani 95, KF Drita, KF Kitka nga Hogoshti, KF Vëllaznia nga Pozherani dhe KF Uniteti nga Sadovina e Jerlive.
Qëllimi i këtij shkrimi, është që futbolldashësve të Anamoravës t`ua rikujtoj dy personalitet të shquara të futbollit, asokohe, Rexhep Abdullahun e Jakup Berishën, të cilët dhanë kontribut të çmueshëm në mbajtjen gjallë të futbollit, në rrethana tepër të vështira për popullin shqiptar.
Rexhep Abdullahu ishte kryetar i Federatës së futbollit të Kosovës, ndërsa Jakup Berisha, ishte përgjegjës i grupit të Ferizajt.
Unë (Shefki Daku), që asokohe isha sekretar i KF Studenti, kam pasur nderin të bashkëpunojë me këto dy personalitete të njohura të futbollit të Kosovës.
Mendoj se Abdullahu dhe Berisha nuk janë vlerësuar sa duhet pas luftës, për kontributin e tyre në mbajtjen gjallë të sportit në Kosovë, konkretisht të futbollit, që ishte një nga shtyllat e rezistencës ndaj masave të dhunshme dhe okupatorit serb në atë kohë. /mediafokus.info


