Si po e vjedh Qeveria djersën e pensionistëve!

Zeqir Bekolli

Qeveria Kurti, bashkë me partinë Lëvizja Vetëvendosje, erdhi me premtime të mëdha, sidomos për shtresën e varfër dhe të nëpërkëmbur të pensionistëve. Por çfarë bëri? Asgjë!

Përkundrazi, bëri një “krim” ndaj kësaj shtrese duke mos u interesuar për hartimin e një ligji që do të rregullonte statusin e tyre dhe do t’i trajtonte të gjithë njësoj, në mënyrë të barabartë.

Këtë nuk e bëri, edhe pse premtoi se kjo çështje do të ishte prioritet për këtë qeveri.

U soll njësoj si qeveritë e tjera, të cilat mashtruan këtë shtresë atëherë kur iu deshën votat për të marrë pushtetin, e më pas e harruan.

I përbuzën shtresat e punëtorëve që rezistuan në kohën e regjimit kriminal të Millosheviqit, duke i lënë me vetëm 120 euro pension.

I përbuzën gazetarët dhe punonjësit e “Rilindjes”, të cilët mbajtën gjallë shpirtin liridashës të popullit drejt çlirimit.

Duke i nëpërkëmbur e nënçmuar këto shtresa, ata favorizuan të gjithë ata që punuan me regjimin kriminal të Millosheviqit, sepse këta të fundit ia kanë paguar kontributet Serbisë.

Shtresa që kundërshtoi dhe refuzoi t’i paguante regjimit kriminal serb kontribute sot po diskriminohet.

Nga Buxheti i Republikës paguhen pensionistët e rendit të parë dhe të rendit të dytë, edhe pse kontributet e tyre i ka marrë Serbia!

Ky kategorizim i pensionistëve në qytetarë të rendit të parë dhe të rendit të dytë nuk ndodh askund tjetër, veç tek ne.

Pas 45 vitesh, qeveria vazhdon të vjedhë djersën tonë, kontributin tonë, dhe nuk ka as shenja në horizont se do të bëjë ndonjë ndryshim.

Prandaj, është koha që edhe ne t’i ndëshkojmë me votën tonë në këto zgjedhje!